Sali Berisha para Gjykatës së Apelit - Foto: KALLXO.com

Ish-gjyqtari Sali Berisha, i akuzuar për marrje ryshfeti, del para Gjykatës së Apelit

Ish-gjyqtari Sali Berisha ka dalë para Gjykatës së Apelit lidhur me rastin për marrje ryshfeti dhe armëmbajtje pa leje për të cilin ishte shpallur fajtor

Besnik Berisha, avokati i ish-gjyqtarit, ka elaboruar ankesën e ushtruar prej tij kundrejt aktgjykimit të Gjykatës së Prishtinës.

Para kolegjit të gjyqtarëve Ferit Osmani – kryetar, si dhe anëtarët Bashkim Hyseni e Burim Ademi, mbrojtësi i të pandehurit e ka konsideruar këtë rast si skandaloz.

“Çështja që e kemi sjellë para juve në karrierën time solide është prej rasteve më skandaloze” – u shpreh avokati Besnik Berisha.

Ai e ka akuzuar trupin gjykues të Themelores që nuk e ka lënë t’i shprehin pretendimet e tyre.

Avokati më tutje ka thënë se nuk e kanë asnjë faqe prej përgjimeve të komunikimeve të të mbrojturit të tij.

“633 faqe thotë hetuesi por ne nuk e kemi asnjë faqe. Përveç që nuk na i dorëzojnë ata e zhdukin… dhe as sot telefonin e z. Berisha nuk na e dorëzojnë” – tha avokati Besnik Berisha.

Ai po ashtu e ka kritikuar kolegjin e gjyqtarëve të Themelores që nuk e ka pranuar asnjë provë të mbrojtjes.

“Prokuroria siguron prova brenda ditës dhe të gjitha i pranon Gjykata. E mbrojtjes asnjë propozim nuk i është pranu” – tha Besnik Berisha.

Mbrojtësi i Sali Berishës më tej ka kërkuar nga Gjykata që të vendosë “standard”.

“Nëse ju keni me leju që të akuzuarit t’i refuzohet secili pretendim, t’i refuzohen edhe provat që vetë Prokuroria i ka pasë në hetim, por nuk i kanë shërby… atëherë unë ju lus që ta vendosni një standard, dhe jo ta vendosni standardin vetëm që Sali Berisha është gjyqtar” – ka argumentuar mbrojtësi i të pandehurit.

Ai e ka konsideruar inkriminim e Sali Berishës në këtë rasti si kurth.

Avokati gjithashtu e ka theksuar dy herë faktin se ish-gjyqtari jeton akoma me qira.

Në fund të fjalës së tij Besnik Berisha ka shpalosur tri kërkesat e mbrojtjes për Gjykatën e Apelit.

“Kërkesën e parë e kemi ndryshimin e aktgjykimit, refuzimin e akuzës, ndryshimi, lirimi për shkak të praktikës së Gjykatës Europiane për shkak të nxitjes, shtytjes për shkak të konfirmimit të vetë dëshmtarit se Sali Berisha as nuk ka kërku, e as nuk ka pranu, e as nuk ka keqpërdorë në asnjë formë dhe kërkesa e fundit natyrisht është anulimi i vendimit – kthimi i çështjes në rivendosje me detyrën kryesore për Gjykatën e shkallës së parë që të na trajtojë së paku njësoj” – ka përfunduar ai.

Ankesë kundrejt aktgjykimit të Themelores ka ushtruar edhe Prokuroria Speciale.

Ankesën e Prokurorisë e ka elaboruar gjyqtari referues Burim Ademi.

Siç shpjegoi gjyqtari, Prokuroria ka kërkuar ndryshim të aktgjykimit dhe ashpërsim të dënimit ndaj Sali Berishës.

Ankesa e Prokurorisë është mbështetur në shkelje të ligjit penal, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike në lidhje me sanksionin penal.

Më tutje kryetari i trupit gjykues, Ferit Osmani, e pyeti të akuzuarin Sali Berisha nëse ka diçka tjetër për të thënë, dhe nëse e përkrah fjalën e avokatit të tij.

“Kam shumë për të thënë por nuk do të ju marr kohë” – tha shkurt ish-gjyqtari Sali Berisha.

Me 28 prill të këtij viti Gjykata e Prishtinës e kishte shpallur Sali Berishën fajtor për marrje ryshfeti dhe armëmbatje pa leje.

I njëjti për marrje ryshfeti u dënua me gjobë prej 4,000 euro, kurse për armëmbajtje pa leje iu shqiptua dënim me gjobë 1,000 euro.

Të njëjtit iu shqiptua dënim unik me gjobë 5,000 euro, dhe dënim me burgim me 2 vite e 6 muaj, në të cilën i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Po ashtu, iu shqiptua edhe dënimi plotësues – 3 vite i ndalohet ushtrimi i funksionit në administratën publike.