Foto: Ilustrim

Rreshteri policor i dënuar për dhunë në familje, vazhdon punën si epror

“Do ta marr shpirtin e do ta vizatoj kryqin në ballë”, janë fjalët që rreshteri i policisë, Qerim Rama, ia kishte drejtuar bashkëshortes së tij.

Qerim Rama, rreshter policor në Gjakovë, është gjetur fajtor nga gjykata për vepër penale të kanosjes të lidhur me veprën penale të dhunës në familje.

Këtë vepër penale, ai e ka kryer ndaj bashkëshortes së tij, për të cilin rast kishte qëndruar edhe në paraburgim.

Rama për këtë rast penal është dënuar nga gjykata me dënim me kusht, ndërsa edhe pse i dënuar vazhdon të ushtroj detyrën e tij si rreshter policor, mbikëqyrës i njësisë së trafikut në Gjakovë.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar drejtori i Policisë në Gjakovë, Lumni Graishta.

“Po, është rreshter, është mbikëqyrës i njësisë së trafikut në Gjakovë. Me sa di ende nuk ka një përgjigje prej Komisionit të Brendshëm Disiplinor, penalisht e di që ka përfunduar me kallëzim penal e me krejt ato çka duhet çka ka pas në hetim IPK, po më tutje nuk e dimë sepse nuk është në kompetencën tonë”, tha për KALLXO.com, drejtori i Policisë së Gjakovës, Lumni Graishta.

KALLXO.com ka siguruar edhe aktgjykimin për këtë rast.

Sipas aktgjykimit i akuzuari Rama në vitin 2019 në prezencë të njerëzve që gjendeshin në rrugë dhe para lokaleve tek prokuroria në Gjakovë, i është drejtuar me fjalët “k.., nuk ke se çka lyp më në shtëpinë time”, ti je k.., ia ke marr dashnorin Ferides”.

Ndërsa e ka kanosur edhe me fjalët: “do ta marr shpirtin dhe do ta vizatoj kryqin në ballë”.

Rreshteri ka pranuar fajësinë për këto veprime.

Për këtë vepër penale gjykata i ka shqiptuar atij dënim me kusht.

“Duke i shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 120 ( njëqind e njëzet) ditësh, i cili dënim nuk do të ekzekutohet, nëse i akuzuari brenda afatit të verifikimit prej 1 (një) viti nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, nuk do të kryen vepër tjetër penale”, thuhet në aktgjykimin e gjykatës.

Sipas përgjigjes së Gjykatës në Gjakovë, aktgjykimi ndaj Ramës është bërë i plotfuqishëm më 23.10.2019.

Të shumtë janë zyrtarë që dyshohet se përfshinë në raste të dhunës së ushtruar ndaj familjarëve të tyre.

KALLXO.com nuk ka arritur që të sigurojë një listë të saktë të zyrtarëve të institucioneve të Kosovës të cilët janë të përfshirë si të dyshuar në rastet e dhunës në familje.

Por, në anën tjetër në raportime të shumta KALLXO.com ka treguar se të përfshirë në dhunë në familje kanë qenë policë, pjesëtarë të FSK-së, prokurorë, që kanë kërcënuar gratë e vëllezërve.

Pesë zyrtarë policorë dyshohet se kanë rrahur e sulmuar familjarët e tyre ndërsa masat e ndërmarra për ta kanë qenë suspendimet.

“Vetëm për vitin 2020 në Inspektoratin Policor të Kosovës, janë të regjistruar pesë raste të dhunës në familje ku të dyshuar kanë qenë punonjësit e Policisë së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e IPK-së për KALLXO.com.

Zyrtarë shtetërorë në afera të dhunës në familje (kallxo.com)