Rrëfimet e punëtorëve për tentim grabitjen në 'Ria Capital'

Trim Vokshi, i akuzuari për grabitje në tentativë në ‘Ria Capital’, është ballafaquar me dëshmitë e punëtore të institucionit ku dyshohej se kishte tentuar ta kryente grabitjen.

Zyrtarja e pagesave, Renata Emini, tregoi se ditën e tentimit të grabitjes kishte qenë duke punuar me kolegët dhe për një moment kishte parë një person të maskuar me armë.

Për identifikimin e personit që kishte tentuar të grabisë në ‘Ria Capital’, dëshmitarja nuk ishte në gjendje ta bënte.

Edhe arkëtarja e ‘Ria Capital’, Arbnore Salla, tha se personi kishte qenë disi i maskuar, me një duks me kapele, me gjatësi mesatare e i dobët, duke ju thënë “qitni lekët”.

Kallxo.com ka raportuar për këtë rast.

Në muajin tetor ishte kundërshtuar aktakuza e Prokurorisë.

Trim Vokshi, ishte deklaruar i pafajshëm në aktakuzat e Prokurorisë.

Sipas aktakuzës, në prill të këtij viti në filialin e “Ria Capital”, dyshohet se i akuzuari Trim Vokshi në bashkëkryerje me Sinan Kamerin, kishin kryer veprën penale të grabitjes në tentativë.

Aktakuza shpjegon se Trim Vokshi, kishte qenë i maskuar dhe me armë në dorë, ndërsa Sinan Kameri kishte bërë roje.

Trim Vokshi kishte hyrë brenda në objekt dhe personave Arbnore Sada, Pajtim Hajdari, Renata Mati- Emini ju drejtohet me fjalët “qitni leket”, e më pas kishte bërë alarmi dhe i njëjti kishte ikur me armë në dorë, thuhet në aktakuzë.

Kujtojmë se personi me emrin Sinan Kameri, ende nuk është gjetur nga Policia.