Gjakovë, fillon gjykimi për tentim grabitje në “Ria Capital”

Trim Vokshi i akuzuari për grabitje në tentativë, ka dalë sot para gjykatës për tu përballur me akuzat e prokurorisë.

Vokshi  u deklarua se ndihet i pafajshëm për akuzën që i vihet në barrë.

Prokurori i rastit Ali Uka, tha se kanë bindjen e plotë se do të vërtetohet fajësia e të akuzuarit .

Ndërsa mbrojtësi i të dëmtuarit Pajtim Hajdari, avokati Prek Kola, tha se i bashkëngjitet ndjekjes penale dhe se si palë e dëmtuar kërkojnë kompensimin e dëmit.

Në anën tjetër mbrojtësi i të akuzuarit Trim Vokshi, avokati Muharrem Lajqi nga Peja, deklaroi se në tërësi e kundërshton aktakuzën e Prokurorisë së Gjakovës.

Gjykatësi Shaqir Zika, caktoi datën 28 tetor për mbajtjen e seancës së dytë, ku do të kundërshtohet aktakuza dhe provat e saj.

Sipas aktakuzës, në prill të këtij viti në filialen “Ria Capital”, dyshohet se i akuzuari Trim Vokshi në bashkëkryerje me Sinan Kamerin kishin kryer veprën penale të grabitjes në tentativë.

Aktakuza shpjegon se Trim Vokshi kishte qenë i maskuar dhe me armë në dorë ndërsa Sinan Kameri kishte bërë roje.

“Trim Vokshi kishte hyrë brenda në objekt dhe personave Arbnore Sada, Pajtim Hajdari, Renata Mati-Emini ju drejtohet me fjalët “qitni leket”, e më pas kishte bërë alarmi dhe i njëjti kishte ikur me armë në dorë”, thuhet në aktakuzë.

Kujtojmë se personi me emrin Sinan Kameri, ende nuk është gjetur nga policia.