Gjakovë, del para gjykatës i akuzuari për grabitje

Trim Vokshi, i akuzuar për grabitje në tentativë, doli para gjykatës ku edhe kundërshtoi këtë aktakuzë.

Mbrojtësi i tij avokati Rrustem Lajqi, duke kërkuar që të hudhet akuza, tha se aktakuza e Prokurorisë është e kundërligjshme.

“E kundërshtoj aktakuzën sepse nuk ka prova të mjaftueshme e po ashtu i propozoj gjykatës që të ftohen dëshmitarët Dedë Komani, Sulltan Gashi, Rikardo Pllumi si dhe dëshmitari Anton Nikollbibaj”- deklaroi avokati Rrustem Lajqi.

Ndërsa prokurori Ali Uka, tha se aktakuza ka prova të mjaftueshme.

Ndërkaq gjykatësi Shaqir Zika, refuzoj kërkesën e avokatit Rrustem Lajqi për hudhjen e aktakuzës, por aprovoi propozimin e tij për dëgjimin e katër dëshmitarëve.

Trim Vokshi, ishte deklaruar i pafajshëm kundrejt aktakuzës së Prokurorisë.

Sipas aktakuzës, në prill të këtij viti në filialen “Ria Capital”, dyshohet se i akuzuari Trim Vokshi në bashkëkryerje me Sinan Kamerin kishin kryer veprën penale të grabitjes në tentativë.

Aktakuza shpjegon se Trim Vokshi kishte qenë i maskuar dhe me armë në dorë ndërsa Sinan Kameri kishte bërë roje.

Trim Vokshi kishte hyrë brenda në objekt dhe personave Arbnore Sada, Pajtim Hajdari, Renata Mati-Emini ju drejtohet me fjalët “qitni leket”, e më pas kishte bërë alarmi dhe i njëjti kishte ikur me armë në dorë- thuhet në aktakuzë.

Kujtojmë se personi me emrin Sinan Kameri, ende nuk është gjetur nga Policia.