Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Rrëfehet në gjykatë invalidi ushtarak që po akuzohet se bleu banesë me para të fituara nga droga

Kanë kaluar thuajse dy vjet qëkur Gjykata e Prishtinës i dënoi me gjobë e burg Shahadin e Sefer Hasanin duke i shpallur fajtorë për veprën penale posedim të narkotikëve.

KALLXO.com në atë kohë kishte raportuar se Shahadin Hasani u dënua me 3 vjet burg dhe 14 mijë euro gjobë ndërsa Sefer Hasani me 2 vjet burg e 6,000 mijë euro gjobë.

Të njëjtit sot përsëri janë sjellë para Gjykatës mirëpo tash me akuzat se kishin blerë banesa me paratë e fituara nga aktiviteti kriminal me narkotikë.

Shahadini deklaroi se për veprën që e ka bërë ishte dënuar dhe kishte paguar dënimin.

“Veprën që e kam bërë më kanë dënuar, e kam vuajtur dënimin, e kam paguar 20,000 euro dënimin”, tha ai.

Gjatë seancës së sotme që të akuzuarit dy u deklaruan të pafajshëm.

“Nuk është e vërtetë, unë banesën e kam blerë 3 vite më herët, nuk e pranoj që e kam blerë banesën me para të kundërligjshme. Nëse e kisha blerë banesën me para të kundërligjshme nuk e kisha qitë në emër timin”, tha Shahedin Hasani.

Gjatë seancës ai deklaroi se kishte probleme me dëgjimin sepse ishte invalid ushtarak ngase kishte marrë pjesë në tri luftëra.

Shahedin e Sefer Hasanin prokuroria i vë në barrë veprën penale të shpëlarjes së parave.

Në bazë të aktakuzës, prokuroria po i akuzon Shahedin e Sefer Hasanin kanë blerë banesa me qëllim që të fshehin pasurinë e fituar në mënyrë të kundërligjshme përmes aktiviteteve kriminale me narkotikë dhe të bëjnë atë pasuri të duket si e ligjshme. Banesat e blera nga të akuzuarit sipas prokurorisë kishin vlerat 59.6000,00 euro dhe 44.070,00 euro.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për arrestimin e të akuzuarve.

Aktakuzë për blerje të banesave me para të drogës