Pallati i Drejtësisë | Foto: KALLXO.com

Burg, Gjobë dhe Konfiskime për 56 Kilogramë Marijuanë

7 vjet e 3 muaj burg si dhe 26 mijë euro gjobë iu shqiptuan tre personave nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Shahadin e Sefer Hasani dhe Rijad Shiti u gjetën fajtorë për veprën penale posedim të narkotikëve.

Shahadin Hasani nga gjykata u dënua me 3 vjet burg dhe 14 mijë euro gjobë, ndërsa  Sefer Hasani me 2 vjet burg e 6000 mijë euro gjobë.

Dy vjet e tre muaj burg dhe 6 mijë euro gjobë gjykata ia shqiptoi Rijad Shitit.

Përveç burgut e gjobës, gjykata shqiptoi edhe dënime plotësuese.

Shahadin Hasanit iu konfiskua automjeti Golf V, para në shumën prej 345 eurove si dhe gjashtë telefona, ndërsa Sefer Hasanit iu konfiskua një furgon dhe dy telefona.

Dy automjete iu konfiskuan edhe Rijad Shalës-njëra nga to e tipit “BMW” e tjetra e llojit “Golf V”. Shalës iu konfiskuan edhe dy telefona.

Gjykata gjithashtu të pandehurve u vazhdoi edhe masën e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, i pandehuri Shahadin Hasani më 27 mars 2016 nga shtëpia e tij në fshatin Brodosan me automjetin e tij “Golf” i priu furgonit që drejtohej nga Sefer Hasani deri te pompa e benzinës “Ballkan” në Ferizaj.

Aktakuza sqaron se udhëtimi i këtyre dy automjeteve drejt pikës së shitjes së derivateve në Ferizaj, bëhej që aty tash të akuzuarit të takoheshin me dy shtetas të panjohur të Maqedonisë.

Në aktakuzë bëhet e ditur se dy shtetasit e Maqedonisë erdhën në pompën “Ballkan” me një makinë të tipit “BMW” të siguruar nga i akuzuari Rijad Shiti, ndërsa me ta  në restorantin e pompës u takua Shahadin Hasani.

Pas takimit, aktakuza shpjegon se njëri nga shtetasit e Maqedonisë bashkë me Shahadin Hasanin hynë në njërën makinë, ndërsa shtetasi tjetër i Maqedonisë hyri në furgon. Pastaj makina dhe furgoni u nisën drejt Hanit të Elezit.

Gjatë rrugës, sipas aktakuzës, shtetasi i Maqedonisë që ishte me Shahadin Hasanin iu bashkua shtetasit tjetër të këtij shteti, derisa Hasani u ndal në një pompë benzine për t’u furnizuar.

Shtetasit e Maqedonisë pastaj me furgonin që drejtonin shkuan në shtëpinë e të akuzuarit Rijad Shiti, ndërsa atyre pas pak kohësh iu bashkua edhe Shiti.

Në aktakuzë tregohet se gjatë veprimeve të tyre, grupi që u dënua për narkotikë po përcillej nga hetuesit e Policisë së Kosovës, ndërsa Shiti dhe dy shtetasit e Maqedonisë derisa po diskutonin për transportim narkotikësh, i kishin vërejtur hetuesit.

Në atë moment siç përshkruhet në aktakuzë, dy shtetasit e Maqedonisë kishin marrë një veturë “Golf”, pronë e Rijad Shitit me qëllimin për t’u arratisur me të, ndërsa Shiti kishte mbetur vetëm në oborrin e shtëpisë së tij.

Policia pastaj në furgonin në oborr të shtëpisë së Rijad Shitit gjeti një sasi marijuane të shpërndarë në 58 paketime, me peshë të përgjithshme prej 55.863,54 kilogramësh.

Më 10 nëntor Gjykata Themelore në Pejë dënoi vetëm me gjashtë muaj burg dhe 400 euro gjobë një kultivues marijuane të cilit iu gjetën 250 bimë narkotike që i kultivonte në një laborator me sistem ajrimi dhe ujitjeje.

http://kallxo.com/6-muaj-burg-kultivuesit-te-marijuanes/

Aksioni i policisë për zbulimin e këtij laboratori u shfaq në Rubrikën “policia” të “Drejtësisë në Kosovë”.

http://kallxo.com/aksioni-policise-zbulimi-laboratorit-te-marijuanes/