Komuna e Dragashit. Dragash. 26.05.15, Photo: Atdhe Mulla

Referenti nga Dragashi akuzohet se pronën prej 250 mijë euro ia kaloi dikujt tjetër

Prokuroria e Prizrenit, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër A.S. referent në Zyrën Kadastrale të Drejtorisë për Urbanizëm, Kadastër dhe Mbrojtjen e Mjedisit të Dragashit, për shkak të dyshimit se në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, thuhet në komunikatën për media tw prokurorisë.

Sipas aktakuzës, me datë 07.09.2021 në Dragash, në cilësinë e personit zyrtar, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar ka tejkaluar kompetencat e tij, me qëllim që të përfitojë dobi për personin tjetër apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër ose që t’i shkel të drejtat e këtij të fundit.

Në komunikatën për media thuhet se A.S. duke vepruar në kundërshtim me ligjin, tri ngastra të Zonës Kadastrale të fshatit Brezne në Dragash, me pronar ekzistues D.B., pa bazë juridike dhe procedurë të rregullt ligjore, i ka regjistruar në emrin e qytetarit H.B., duke ia lëshuar të njëjtit certifikatën e pronësisë së datës 07.09.2021.

Certifikata e lëshuar del të jetë në kundërthënie të plotë me certifikatën e pronësisë së datës 14.08.2018 lëshuar nga po i njëjti autoritet, qytetarit – të dëmtuarit D.B..

Kurse me datë 02.11.2021, shpjegohet më tutje në komunikatë, jashtë çdo autorizimi lidhur me detyrën e tij zyrtare, A.S. ka përpiluar shpjegimin me shkrim për Gjykatën, të cilin e nënshkruan dhe e vulos me vulën zyrtare të autoritetit kadastral, madje duke mos e protokolluar dhe ia dërgon gjykatës.

Në këtë dokument A.S. jep arsyetimin se përse i ka regjistruar ngastrat e lartpërmendura kadastrale nga pronari ekzistues D.B., në personin tjetër H.B., me çka i shkakton dëm të dëmtuarit D.B., në vlerën e ngastrave kadastrale prej 250,000.00 euro.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.