Rasti 'Ukë Rugova 2' - të akuzuarit përballen me 4 dëshmitarë të tjerë

Fitim Beqiri dhe 14 të akuzuarit të tjerë u përballën me dëshmitë e 4 dëshmitarëve në rastin e njohur si “Ukë Rugova 2”.
Dëshmitarja A.S. iu përgjigj pyetjeve të prokurorit special Afet Halimi në të cilat tha se asnjëherë nuk kishte aplikuar për vizë italiane, madje nuk dinte asgjë për rastin.

Lidhur me të akuzuarin Fitim Beqiri u përgjigj dëshmitarja e dytë Lendita Gashi e cila tha se atë e njihte përmes vëllaut të saj.

Ajo tha se sa ishte duke punuar në një agjension turistik, i akuzuari Beqiri kishte kërkuar që të bëhen rezervime e sigurime shëndetësore për disa persona.

Sipas saj këto sigurime u anuluan pasiqë i akuzuari Beqiri i kishte thënë që nuk kishte arritur që të bëjë termin.

Tutje u dëgjua edhe Kushtrim Gashi i cili tha se e dinte që Fitim Beqiri ka pasur punë një herë me motrën e tij për disa rezervime mirëpo nuk ishte i sigurtë për këtë pasiqë nuk punonte aty.

Ndërsa dëshmitari i fundit i dëgjuar në këtë seancë, Valon Halimi, tha se ka qenë i interesuar për një vizë për vëllanë e tij dhe për këtë ishte takuar me një person nga fshati Zhegër emrin e të cilit nuk e dinte.

Këtij personi, dëshmitari tha se i kishte dorëzuar pasaportën e vëllait të tij mirëpo pas dy ditëve ai person i kishte lajmëruar se nuk ka mundur të i kryej punë.

Ky proces gjyqësor është pjesa e dytë e gjykimit ku të akuzuarit përballen me akuzat për mashtrim dhe kontrabandim me migrantë e që në opinion njihet si “mashtrimi me vizat italiane”.

Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Azem Koskoviku, Hamza Beqiri, Visar Beqiri, Begë Shaqiri, Hasan Shaqiri, Edison Idrizi, Driton Voca, Fadil Ahmeti, Haxhi Islami dhe Valon Selimi, akuzohen nga Prokuroria se duke qenë anëtarë të organizatës të themeluar, organizuar, mbikëqyrur, menaxhuar ose drejtuar nga Ukë Rugova dhe Izet Beqiri, kanë marrë pjesë në furnizimin e individëve me viza Schengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë, të cilat janë marrë në mënyrë të paligjshme ose përmes shtrembërimit ose korrupsionit.

Këta 15 të akuzuar i përkasin grupit të të akuzuarve ku bëjnë pjesë edhe Ukë Rugova, ish-deputet dhe djali i Presidentit Ibrahim Rugova, dhe Astrit Haraqija, ish-ministri i Kulturës nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Më 3 korrik të vitit 2020 ndaj këtyre 15 të akuzuarve u veçua procedura penale.

Sipas aktakuzës plot 556 viza Schengen ishin marrë nga Ambasada e Italisë në Prishtinë, si rezultat i aktiviteteve të këtij grupi.

Raportimet e KALLXO.com për këtë rast i gjeni në këtë LINK