Propozohet një dëshmitar, ndërpritet seanca ndaj të akuzuarit për vrasjen e Donjeta Pajazitajt

Naser Pajazitaj, i cili akuzohet se e ka vrarë Donjeta Pajazitajn, është sjellë sërish para gjykatësit për t`u përballur me aktakuzën e Prokurorisë së Pejës. Por seanca ndaj tij u ndërpre pasi u propozua një dëshmitar.

Pajazitaj po akuzohet se në mënyrë dinake e kishte vrarë Donjeta Pajazitajn, e cila ishte duke shkuar në punë.

Në fillim të seancës së sotme, trupi gjykues i konsideroi të lexuara disa deklarata të dëshmitarëve të cilët nuk ishin prezent në gjykatë për arsye të ndryshme.

Tutje u propozua që të ftohet eksperti i Telekomit në Prishtinë, për të sqaruar vendet e disa antenave (të Telekomit ku ka ndodhur vrasja) dhe ndryshimet që janë bërë nga viti 2015 i këtyre antenave që kanë qenë funksionale në perimetrin ku sipas Prokurorisë së Pejës ka ndodhur vrasja e Donjeta Pajazitajt.

Seanca që u ndërpre sot, do të vazhdoj më 22 prill.

Sipas Prokurorisë përderisa Donjeta ishte duke shkuar në punë, i akuzuari Naser Pajazitaj ishte ndalë me veturë dhe e kishte marrë Donjetën me ç`rast e kishte dërguar tek vendi ‘Kroi i lajthisë’, ku më pas me dy plumba në kokë e kishte privuar nga jeta.

Por për këto akuza, Gjykata Themelore në Pejë në mungesë të provave e kishte liruar Naser Pajazitajn nga akuzat, mirëpo me ketë vendim nuk ishte pajtuar Gjykata e Apelit, e cila ishte vendosur që çështjen ta kthejë edhe një herë në gjykim.

Pas rigjykimit Pajazitaj ishte dënuar me burgim të perjetshëm, vendim ky i cili në muajin korrik të vitit 2019 edhe ishte vërtetuar nga Gjykata e Apelit.

Tutje, Gjykata e Pejes kishte kërkuar qe të përjashtohet nga ky rast pasi kishte marrë dy vendime skajshmërisht të ndryshme, me njëri tjetrin, me njërin duke e liruar, kurse me vendimin tjetër e kishte dënuar me burgim të përjetshëm.

Tani, pasi Gjykata Supreme i kishte prishur të dy vendimet e Gjykates se Peës (edhe atë të lirimit edhe atë të dënimit me burgim të përjetshëm), lënda është duke u gjykuar në Gjykatën e Ferizajt.

Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast – LINK