Donjeta Pajazitaj - Foto: Facebook

Vrasja e Donjeta Pajazitajt, rrëfehet në gjykatë gruaja e të akuzuarit Naser Pajazitaj

Naser Pajazitaj, i cili akuzohet se e ka vrarë Donjeta Pajazitajn, ka dalur sërish para gjykatësit për t`u përballur me aktakuzën e Prokurorisë së Pejës.

Ai akuzohet se në mënyrë dinake e kishte vrarë Donjeta Pajazitajn, e cila ishte duke shkuar në punë.

Në seancën e sotme u dëgjua dëshmitarja Dushe Pajazitaj, e cila të akuzuarin e ka bashkëshort. Ajo tha se ka dhënë deklaratë në Polici, por që nuk i kujtohet se çka ka thënë.

“E di se deklaratat që i kam dhënë kanë qenë të sakta, por nuk më kujtohet se çka kam thënë. Kur më ka marrë në pyetje prokurorja e kam thënë gjithë të vërteten sikurse në Gjykatën e Pejës që e kam thënë të vërtetën. Unë qëndroj pranë gjitha deklaratave që i kam dhënë në Polici, Prokurori dhe në Gjykatë”, tha dëshmitarja Pajazitaj.

Tutje ajo tha se me të akuzuarin janë martuar para 35 viteve dhe se ai edhe më parë ka qenë i dënuar me burg.

“Naseri ka qenë edhe më parë në burg për një hakmarrje e cila kishte ndodhur para luftës. Donjetën e kam njohur edhe përsonalisht, pasi e ndjera e ka pasur shoqe vajzën time me të cilën kanë qenë së bashku në shkollë. Nuk më kujtohet se kur është kthyer Naseri nga varrimi i Shefqet Zeqajt, pasi ka kaluar një kohë e gjatë, më shumë se 5 vite”, tha tutje dëshmitarja Pajazitaj.

Shqyrtimi gjyqësor do të vazhdoj edhe nesër me dëshmitarë të tjerë.

Sipas Prokurorisë përderisa Donjeta ishte duke shkuar në punë, i akuzuari Naser Pajazitaj ishte ndalë me veturë dhe e kishte marrë Donjetën me ç`rast e kishte dërguar tek vendi ‘Kroi i lajthisë’, ku më pas me dy plumba në kokë e kishte privuar nga jeta.

Por për këto akuza, Gjykata Themelore në Pejë në mungesë të provave e kishte liruar Naser Pajazitajn nga akuzat, mirëpo me ketë vendim nuk ishte pajtuar Gjykata e Apelit, e cila kishte vendosur që çështjen ta kthejë edhe një herë në gjykim.

Pas rigjykimit Pajazitaj ishte dënuar me burgim të perjetshëm, vendim ky i cili në muajin korrik të vitit 2019 edhe ishte vërtetuar nga Gjykata e Apelit.

Tutje, Gjykata e Pejës kishte kërkuar që të përjashtohet nga ky rast pasi kishte marrë dy vendime skajshmërisht të ndryshme, me njëri tjetrin, me njërin duke e liruar, kurse me vendimin tjetër e kishte dënuar me burgim të përjetshëm.

Tani, pasi Gjykata Supreme i kishte prishur të dy vendimet e Gjykates se Pejes (edhe atë të lirimit edhe atë të dënimit me burgim të përjetshëm), lënda është duke u gjykuar në Gjykatën e Ferizajt.

Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast – LINK