Shaban Gogaj e Isuf Cacaj refuzojnë të deklarohen për akuzën e vrasjes

Shaban Gogaj e Isuf Cacaj nuk pranuan të deklarohen për akuzën e prokurorisë së Pejës.

“Unë e kam kryer e kam deklaruar, mua s`keni nevojë send me mpyet”- tha Shaban Gogaj, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Isuf Sadiku.

Edhe i pandehuri Isuf Cacaj nuk pranoi të deklarohet.

“Nuk dua m`u deklaru, 300 herë jom deklaru, mos na munoni më shumë, na fmi po ju dokemi juve çdo ditë të njëjtat fjalë”- tha i pandehuri Isuf Cacaj.

Ai shtoi se për ta ka përfunduar gjykimi dhe janë vetëm në pritje të dënimit.

“Për neve ka përfunduar ky gjykim njëherë, e presim veç dënimin kurgjo më shumë”- deklaroi Isuf Cacaj.

Gogaj po mbahet në paraburgim prej ditës kur ka ndodhur vrasja e Agonis Tetajt

Sipas aktakuzës se Prokurorisë, më 23 shtator të vitit 2021, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj mori një telefonatë nga një person tjetër, e cila në aktakuzë është cilësuar si dëshmitare, nga e cila bisedë më pas shihet se është acaruar.

Tutje, aktakuza sqaron se i ndjeri Agonis Tetaj ishte larguar menjëherë në drejtim të stogjeve përballë tij për gati 5 metra, ndërsa bashkë me të u larguan edhe dy dëshmitarët e rastit A. H. dhe F. Z.

Sipas dosjes së Prokurorisë, me të përfunduar bisedën, Shaban Gogaj, nga karrigia e anës së majtë të banakut kaloi në karrigen tjetër e cila gjendej në mes të banakut dhe nga sirtari nxori revolen e tij të tipit “Beretta”, e vendosi karikatorin dhe e mori në shenjë të ndjerin Agonis Tetaj në kokë, duke e vrarë.

Viktima ishte punëtor në lokalin e të akuzuarit.

Procesi gjyqësor i Shaban Gogajt është bllokuar prej momentit kur avokati Besnik Berisha ishte përjashtuar nga e drejta për mbrojtje në këtë çështje penale

Të gjitha raportimet e KALLXO lidhur më këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.