Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Prokuroria Speciale me 10 dëshmitarë kundër Haradinajt dhe Gucatit

Zyra e Prokurorit të Specializuar në seancën dëgjimore të drejtuar kundër dy krerëve të OVL-UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, ka njoftuar se përpos provave materiale në këtë çështje do të dëgjohen edhe 10 dëshmitarë.

“Hetimet janë në vijimësi, përveç sasisë së provave që do të paraqiten në gjykim, ne kemi 114 zëra në listën tonë dhe kjo do të jetë pjesa kryesore e provave, lista e dëshmitarëve është e njëjta më atë që e kemi parashtruar më parë, pra 10 dëshmitarë”, tha prokurori.

Këto deklarata të prokurorit të specializuar u dhanë në seancën dëgjimore e cila po mbahet sot në dhomat e specializuara të Kosovës.

Kjo është seanca e dytë kundër Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt pas ngritjes së aktakuzës.

Dy krerët e OVL-UÇK-së akuzohen për vepra penale të pengimit të administrimit të drejtësisë.

Gucati ishte deklaruar i pafajshëm për akuzat ndëresa Haradinaj nuk ishte deklaruar fare për fajsinë.

Madje Nasim Haradinaj gjatë fjalimit të tij kishte deklaruar se në vend të tij do të duhej që të ishin të akuzuar dikush nga prokuroret e specializuar.

Haradinaj: Kjo prokurori është politike, selektive dhe e njëanshme

Haradinaj dhe po qëndrojnë në masën e paraburgimit që nga koha kur ishin arrestuar në Kosovë.

Sipas aktakuzës në prill dhe shtator 2020,bënë deklarata akuzuese për dëshmitarë që bashkëpunojnë me ZPS-në dhe për persona të tjerë, duke i quajtur ata, ndër të tjera, gënjeshtarë, bashkëpunëtorë dhe tradhtarë.

Ata akuzohen edhe se shpërndanë pa autorizim informacion konfidencial dhe jopublik në lidhje me hetimet konfidenciale të Task Forcës Hetimore Speciale (‘TFHS’) dhe ZPS-së, inkurajuan të tjerë të shpërndanin më tej informacion konfidencial dhe jopublik

Sipas dhomave të Specializuara të dy organizuan dhe bashkërenduan së bashku me disa të tjerë shpërndarjen e paautorizuar të informacionit konfidencial dhe jopublik dhe veprime të tjera në lidhje me të.

Madje në aktakuzë thuhet se të dy në cilësinë e kryetarit dhe nënkryetarit OVL-UÇK-së, mbajtën një konferencë për shtyp në të cilën i ekspozuan dokumentet e DSP-së mbi një tavolinë.

Sipas DSP ata mbajnë përgjegjësi për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Aktakuza kundër tyre ishte bërë publike me 14 dhjetor të këtij viti.

Gucati dhe Haradinaj ishin arrestuar gjatë muajit shtator në zyrat e OVL-UÇK-së dhe ishin transferuar në Hagë.

Nisen për në Hagë të arrestuarit e sotëm, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj