Foto: Policia e Kosovës

Prizren, Prokuroria kërkon paraburgim për të dyshuarit për fajde e detyrim

Policia e Kosovës dje ka zhvilluar një aksion në Prizren, ku ka arrestuar dy persona nën dyshimin për fajde, detyrim dhe kanosje.

Gjatë operacionit janë konfiskuar një sasi e armëve si dhe e parave.

Sipas Policisë, dy të dyshuarit, I.M. dhe K.M. janë arrestuar në flagrancë, duke pranuar paratë-fajdenë prej 2,000 euro.

Pas intervistimit, dy të dyshuarit, me vendim të prokurorit, janë dërguar në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tyre është iniciuar rasti për kryerjen e veprave penale – fajde, detyrim, kanosje dhe armëmbajtje pa leje.

KALLXO.com mëson se Prokuroria ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të dyshuarve.

Me rastin e arrestimit dhe ndalimit të dy personave të dyshuar Prokuroria ka realizuar urdhër kontrolli në shtëpinë e të dyshuarve dhe në veturat e tyre, kjo me qëllim të sigurimit të provave materiale.

Prokuroria ka njoftuar se gjatë kontrollit janë sekuestruar gjërat si në vijim: arma e tipit GWD AREX, me 17 fishekë në karikator, si dhe dokumente të ndryshme; tek i pandehuri janë gjetur 2.000 euro të holla si dhe një fotrollë brezi për armë si dhe telefoni i tij.

Me vërtetim për sekuestrimin e përkohshëm ka njoftuar se gjësendet si më lartë dhe vetura me librezë dhe çelës, të gjitha janë sekuestruar.

Ndërsa, gjatë kontrollit të shtëpisë së përbashkët të të pandehurve dhe vëllait të tyre, janë gjetur gjërat si në vijim: arma gjysmë-automatike “Husan”, dy armët të tipit “Bereta”, si dhe 231 fishekë, karikatori me 18 fishekë, një laptop si dhe dokumente të ndryshme.

 

 

Prizren, Prokuroria, Fajde, Detyrim, Kanosje, Armë.