Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Prishtinë, gruaja kërkon mbrojtje pasi burri tentoi ta sulmojë, ky i fundit lirohet nga Policia

Një grua ka kërkuar urdhër mbrojtës nga institucionet e Kosovës, pasi një burrë ka tentuar ta sulmojë atë.

Rasti ka ndodhur në Prishtinë, mbrëmë rreth orës 21:45.

Policia e Kosovës ka njoftuar se e ka arrestuar të dyshuarin dhe më pas e ka liruar.

“Në konsultim me prokurorin i dyshuari lirohet në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin policor.

Pas këtij rasti, viktima është ndier e rrezikuar dhe ka kërkuar mbrojtje nga shteti.

Sipas Policisë, lidhur me këtë ndodhi është njoftuar zyrtari kujdestar nga Qendra për Punë Sociale dhe njësia për mbrojtjen e viktimave.

Ditë më parë, një vajzë 18-vjeçare u vra në Ferizaj nga burri me të cilin bashkëjetonte. Dardan Krivaqa është i dyshuari kryesor për këtë krim.

Dardan Krivaqa dhe Arber Sejdiu të dyshuar për vrasjen e 18-vjeçares gjendën nën masën e paraburgimit.

Dardan Krivaqa, sipas dosjes së Prokurorisë, dyshohet se në mënyrë mizore, e ka vrarë tashmë të ndjerën M. O.