Shkolla fillore e mesme e ulët "Xhemail Mustafa", Prishtinë, Foto: Lekë Rizvanolli/KALLXO.com

Organizimi i Festës së Abetares në Gërmi, prindi e raporton shkollën se po i obligon të paguajnë nga 18 euro

Në KALLXO.com një prind e raportoi shkollën fillore të mesme të ulët “Xhemail Mustafa” në Prishtinë se i obligon prindërit e klasëve të para të paguajnë nga 18 euro për organizimin e Festës së Abetares.

Prindi ka pretenduar se organizimin e Festës së Abetares shkolla “Xhemail Mustafa” do ta bëjë me maskota dhe për këtë ka dërguar një fotografi, për të cilën ai ka thënë se është ofertë e një kompanie dhe në të shihen çmime të programeve me maskota. 

Ekipi i KALLXO.com e ka pyetur drejtorinë e shkollës “Xhemail Mustafa” në Prishtinë për organizimin e Festës së Abetares dhe pretendimet e prindit që e ka raportuar atë.

Edhe nga drejtoria e shkollës “Xhemail Mustafa” edhe nga një anëtare e Këshillit të Prindërve të kësaj shkolle, u deklaruan se Festën mendojnë ta organizojnë në Gërmi.

Anëtarja e Këshillit të Prindërve po ashtu e ka konfirmuar se prindërit do të paguajnë nga 18 euro që fëmijët të marrin pjesë në Festën e Abetares.

Zëvendësdrejtori i shkollës “Xhemail Mustafa”, Fatos Berisha nuk pranoi të flasë para kamerës, por u shpreh se nuk ka diçka konkrete dhe se një herë është mbajtur Festa e Abetare në hapësirat e Gërmisë.

“Një herë është mbajt Festa e Abetares në hapësirat në Gërmi atje, në parqe të Gërmisë edhe mendohet që edhe këtë vit ka me qenë e njëjta. Nuk ka diçka konkrete, duhet ata me na jep leje, mirëpo masi që ata të na jepin leje institucionet komunale, na Festën e Abetares mendojmë me organizu atje” – ka thënë Berisha.

Pas insistimit të KALLXO.com që Berisha të deklarohet para kamerës për këtë çështje dhe të ndajë me ekipin e KALLXO.com një numër të Këshillit të Prindërve për t’i pyetur po ashtu për Festën e Abetares, ai ka telefonuar drejtoreshën e shkollës “Xhemail Mustafa”, Shpresa Shala.

Ekipi i KALLXO.com ka kontaktuar përmes telefonit po ashtu me drejtoreshën Shala, por ajo ka treguar se nuk ishte në shkollë gjatë asaj kohe.

Duke biseduar me drejtoreshën në telefon, Berisha i thotë ekipit të KALLXO.com se numrin me të cilin e kanë kontaktuar drejtoreshën i është ndarë një prindi, i cili pritej të na kontaktonte dhe të na informojë se çka ishte biseduar me mësueset për Festën e Abetares.

Gjatë bisedës në telefon me Shalën, Berisha e pyet se a kanë marrë vendim për Festën e Abetares dhe pasi e përfundon bisedën me të, ai tregon se kanë marrë vendim.

“Qe une s’po e di që kanë marrë ata vendim. Drejtoresha po thotë që një takim që e kanë pasë me mësuese, propozimin e tyre e kanë shqyrtu edhe kanë marrë vendim që (nuk kuptohet) me organizu” – tha Berisha.

Pas një ore, ekipi i KALLXO.com është takuar me Nora Rrahimi- Hasani, anëtare e Këshillit të Prindërve në shkollën “Xhemail Mustafa”.

Rrahimi- Hasani ka deklaruar se drejtoresha e shkollës ka bërë kërkesë në Komunë të Prishtinës për t’iu liruar një hapësirë në Gërmi, në mënyrë që ta organizojnë Festën e Abetares në Gërmi.

“Pritet miratimi prej Komunës së Prishtinës për me realizu Festën e Abetares në Gërmi” – tha Rrahimi- Hasani.

Kur është pyetur nga KALLXO.com se a kishte hapësirë në shkollë që të mbahej Festa e Abetares, Rrahimi- Hasani ka thënë se në shkollë hapësira është e vogël për numrin e nxënësve të klasëve të para të kësaj shkolle. 

“Janë katër klasë, kalsa jonë ka 27 nxënës, po besoj që edhe tjerat janë me numër të njëjtë të nxënësve se nuk e di saktë. Edhe po bjen dikun, 110-115 fëmijë, numër shumë i madh, për këtë arsye kemi mendu në hapësirë, ambient të hapur” – ka deklaruar Rrahimi- Hasani.

Se e kujt ishte ideja që të mbahej në Gërmi Festa e Abetares, Rrahimi- Hasani ka thënë se kanë biseduar me prindërit dhe kanë diskutuar me mësueset, dhe si rrjedhojë e kishin vendosur bashkë.

Pasi ajo e ka konfirmuar se prindërit do të paguajnë nga 18 euro për Festën e Abetares, ka treguar se çka përfshihet në këtë shumë.

“Shuma 18 euro është, përfshihet aty një maicë, ka me pas disa fotografi, inçizime personale për secilin fëmijë, nga një album me fotografi edhe të veçanta edhe të përbashkëta, d.m.th krejt këto edhe disa gjëra tjera që s’po më kujtohen për momentin” – ka shpjeguar Rrahimi- Hasani.

Ajo e ka mohuar se i ka dërguar personalisht prindërve oferta në të cilat përfshihen çmime të programeve me maskota. Mirëpo, ajo tregoi se është biseduar të organizohet Festa me maskota.

“Mendohet me maskota ose edhe me programe të organizume diçka e te shohim tash për cilën do të vendosim” – ka njoftuar Rrahimi- Hasani.

Sipas Rrahimi- Hasanit, më 13.05.2024, e kanë pasur mbledhjen e Këshillit të Prindërve të shkollës “Xhemail Mustafa” dhe sipas saj, nuk ka pasur ankesë, të gjithë janë të pajtuar me organizimin e Festës.

“Për klasën tonë nuk ka pasur asnjë ankesë, krejt janë pajtu me çmimin, krejt janë pajtu me organizimin. Nuk ka asnjë ankesë, asnjë vërejtje prej klasës tonë” – tha ajo.

KALLXO.com e ka pyetur edhe Drejtorinë e Arsimit në Prishtinë për organizimin e Festës së Abetares nga shkolla “Xhemail Mustafa” dhe nuk ka marrë përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

Në anën tjetër, KALLXO.com ka raportuar më 07.05.2024, se aktivitetet për Festën e Abetares nga shkolla fillore e mesme e ulët “Iliria” në Prishtinë, që ishin planifikuar të mbahen në një restorant, u anuluan.

Edhe pas insistimit të ekipit të KALLXO.com, drejtoresha e shkollës “Iliria”, Drita Marmullaku- Nishevci, nuk ka pranuar të flasë para kamerës për të treguar se a do ta mbajnë Festën e Abetares në restorant, ashtu siç kishte raportuar një prind.

Marmullaku- Nishevci përderisa është pyetur nga ekipi i KALLXO.com se ku do ta mbajnë Festën e Abetares dhe a është e vërtetë se u është kërkuar prindërve të paguajnë nga 24 euro që fëmijët e tyre të marrin pjesë në Festën e Abetares, e ka mohuar.