Polici i Kosovës e pranon se ishte pjesë e trafikut të kokainës

Në rrjetin për shitjen e kokainës që përbëhej prej nëntë personave bënte pjesë edhe zyrtari policor Bunjamir Jaha.

Rolet në rrjet ishin të ndara, e ish-polici Bunjamir  Jaha e  bënte transportin e kokainës nga Shqipëria në Kosovë.

Kokaina ishte shitur më së shumti në territorin e Ferizajt, por edhe në rajonet e tjera të Kosovës.

Në Gjykatën e Prishtinës sot u mbajt shqyrtimi fillestar ndaj të akuzuarve Bunjamir Jaha, ish-polic, Shpejtim Hamiti, Flamur Hamiti, Pajtim Hamiti, Bashkim Braha, Shkëlqim Ilazi, Arburim Ahmeti, Shkumbim Berisha, Ardonit Mustafa, të akuzuar për trafikun e kokainës dhe shpëlarjen e parave.

Procesi gjyqësor filloi me të akuzuarin Bunjamir Jahën, tashmë ish-policin e Kosovës, i cili u deklarua se e pranon fajësinë për trafikimin e kokainës nga Shqipëria në Kosovë.

E pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit Bunjamir Jaha e mbështetën edhe avokati Burhan Qosja dhe prokurori Atdhe Gashi.

Gjykatësi special Arben Hoti e aprovoi pranimin e fajësisë nga i akuzuari Bunjamir Jaha pasi ishte bindur se i njëjti kishte kuptuar benifitet dhe pasojat e pranimit të fajësisë.

Gjithashtu, gjykatësi special Arben Hoti e veçoi procedurën ndaj të akuzuarit Bunjamir Jaha.

Ndërsa e refuzoi kërkesën për ndërprerjen e masës së paraburgimit.

Sipas Prokurorisë, prej  datës 16 maj 2018 e deri më 7 tetor 2018, i akuzuari Bunjamir Jaha së bashku me të akuzuarit e tjerë Shpejtim Hamiti, Flamur Hamiti, Pajtim Hamiti, Bashkim Braha dhe Shkëlqim Ilazi në territorin e Ferizajit, Kaçanikut dhe fshatrave të këtyre komunave kanë shitur kokainë dhe kanabis.

Pasi të akuzuarit i kishin ndarë rolet, i akuzuari Bunjamir Jaha ishte furnizuar me kokainë  nga Republika e Shqipërisë  dhe kur kishte arritur në pikën kufitare të Vërmicës, ai ishte ndaluar për kontroll dhe i ishte gjetur kokainë në sasi 549.44+0.0001 gramë.

Në të njëjtën kohë në qytetin e Ferizajt ishte   kontrolluar banesa e marrë me qira nga i akuzuari Shpejtim Hamiti, në të cilën përgatiteshin kokaina dhe kanabisi  e pastaj  bëheshin gati për shitje.

Në këtë banesë ishin gjetur sasia e kokainës prej 2+0.0001 gramë, sasia e kanabisit prej 5.54+0.0001 gram si dhe peshoja elektrike për matjen, ndarjen, renditjen dhe sistemimin e drogave.

Shpallja e vendimit për tashmë ish-zyrtarin policor të përfshirë në rrjetin e kokainës do të bëhet më 11 nëntor.

Ky rast ishte hulumtuar nga Kreshnik Gashi dhe emisioni “Drejtësia në Kosovë” kishte transmetuar hulumtimin “Polici në rrjetin e kokainës” më 26 prill 2019.

Emisionin të plotë mund ta gjeni në linkun e mëposhtëm:

www.kallxo.com