
Njëri i akuzuar në spital, zvarritet gjykimi ndaj të akuzuarve për vrasjen e kushëririt
Besmir Ismajli, Samet Ismajli, Fisnik Ismajli, Ismet Ismajli dhe Izri Ismajli, të akuzuar për vrasjen e Muhamet Ismajlit në fshatin Sadovinë e Çerkezëve dhe Ermond Ismajli, i akuzuar për lëndim të lehtë trupor, ishin paraparë të dalin sot para gjykatësit, por seanca ndaj tyre dështoi të mbahet.
Shkak për dështimin e seancës së sotme ishte mungesa e të akuzuarit Ermond Ismajli, i cili ishte i sëmurë.
Sipas Prokurorisë, të akuzuarit Besmir Ismajli, Samet Ismajli, Fisnik Ismajli, Ismet Ismajli dhe Izri Ismajli, në muajin maj të vitit 2019, në fshatin Sadovinë e Çerkezëve, Komuna e Vitisë, kanë vrarë Muhamet Ismajlin.
Aktakuza thotë se pasi nuk kishin mundur të merreshin vesh kishte eskaluar situata dhe të akuzuarit me mjete të forta, si dru dhe shufra metalike, e godasin tani të ndjerin në pjesë të ndryshme të trupit duke i shkaktuar vdekjen, si pasojë e thyerjes së kockave të kafkës.
Gjithnjë sipas Prokurorisë, i akuzuari Ermond Ismajli të njëjtën ditë dhe në të njëjtin vend dhe për të njëjtat arsye (për shkak të një prone kontestuese), u ka shkaktuar lëndime trupore Ismet Ismajlit dhe Fisnik Ismajlit duke i goditur me lopatë, në pjesë të ndryshme të trupit.
Kujtojmë se edhe seanca e dates 03 nëntor kishte dështuar të mbahet. Seanca që është dashur të mbahet sot, u shty për 17 nëntor.
Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast – LINK