Vrasja në Gjilan, Prokuroria: Të dyshuarit dolën nga vetura dhe gjuajtën në drejtim të viktimës

Prokuroria Themelore në Gjilan, ka kërkuar nga Gjykata, caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve F. O., G. B. dhe I. V., për shkak të dyshimit se me armë zjarri kanë privuar nga jeta tani të ndjerin B. V.

Prokuroria ka njoftuar se, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit e sipërshënuar, më 12 Shtator 2021, rreth orës 19:45 minuta, pas një përgatitje paraprake, në bashkëkryerje kanë privuar nga jeta të ndjerin B. V., duke e vënë në rrezik edhe jetën e personave tjerë, të cilët kanë qenë afër tij.

Tutje thuhet se të dyshuarit kanë vepruar në atë mënyrë që së bashku kanë ardhur me një veturë të markës ‘’Audi A3’’ dhe janë ndalë tek një market, ku nga aty të armatosur kanë dalë dy nga të pandehurit dhe me të arritur në vendin e ngjarjes, i afrohen të ndjerit, i cili ishte ulur në një kafiteri në Gjilan, të cilët pastaj kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të tij, ku për shkak të plagëve të marra i njëjti ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa të pandehurit pas kryerjes së vrasjes janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Kallxo.com gjatë ditës ka raportuar se lidhur me këtë rast ishin arrestuar tre persona. Lajmin e ka bërë të ditur Kryeprokurori i Prokurorisë së Gjilanit Arben Kadriu.

“Mund të konfirmoj vetëm se për momentin janë të ndaluar 3 persona. Më shumë detaje për momentin nuk mund të jap. Si Prokurori do të dalim me njoftim zyrtar lidhur me këtë rast”, ka thënë shkurt për KALLXO.com kryeprokurori Kadriu.

Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast:

Tre të arrestuar për vrasjen e 50 vjeçarit në Gjilan