Prokuroria: Polici e qëlloi veten në derën e stacionit të Policisë

Një ngjarje e rëndë është raportuar në orët e mbrëmjes së sotme. Një polic dyshohet se ka kryer vetëvrasje me armë zyrtare.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe kryeprokurori i Prokurorisë në Gjilan, Arben Kadriu.

Kadriu tha se polici dyshohet se kishte përdorur armën zyrtare në rast ndërsa menjëherë ekipet policore por edhe prokuroria kanë dalë në vendin e ngjarjes.

“Ajo çka mund të them tani është se dyshohet se një zyrtar policor me armë zyrtare ka kryer vetëvrasje. Ngjarja ka ndodhur në hyrje të stacionit policor në Ranillug”, tha Kadriu për KALLXO.com.

Tutje Kryeprokurori i Gjilanit ka njoftuar se deri më tani kanë vetëm këto informacione pasi që e gjithë ngjarja sic mëson KALLXO.com ka ndodhur rreth dy orë më parë.