Prokuroria ka kërkuar ekzaminimin mjekësor të së miturës që dyshohet se u sulmua seksualisht nga polici

Një e mitur dyshohet se është sulmuar seksualisht nga një pjesëtar i Policisë së Kosovës.

Deri te informacioni erdhi raportimi i një zyrtari komunal në Prokurorinë e Gjilanit ndërsa kjo e fundit autorizoi Inspektoratin Policor të Kosovës të kryejë hetimin që zgjati disa muaj në mënyrë që të vërtetoheshin informacionet e pranuara.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Arben Kadriu, në një intervistë për “Kallxo Përnime” ka treguar se si ishte marrë informacioni dhe se si ka vazhduar tutje.

“Fillimisht nga një zyrtar komunal kemi marrë një informacion, se një e mitur dyshohet se është duke u keqpërdorur seksualisht nga një zyrtar policor. Kemi analizuar informacionin dhe kemi autorizuar Inspektoratin Policor të Kosovës që të zhvilloj hetimet. Informata ka cek që personi i dyshuar është zyrtar policor dhe kjo ka qenë arsyeja që është autorizuar IPK”, tha Kadriu.

Tutje ai tregon se është lëshuar edhe urdhëresa e Gjykatës së Gjilanit për zbatimin e masave të fshehta të cilat do të ndihmonin në verifikimin e informacioneve.

“Zyrtari policor dyshohet për veprën penale sulm seksual deri më tani. Hetimet janë në vazhdim.  Po sigurisht që me zbatimin e masave të fshehta kemi mbledh prova në të cilat mbështetet dyshimi i bazuar se zyrtari policor ka kryer veprën penale të sulmit seksual”, tha tutje Kadriu.

Ai madje shtoi edhe se të miturës do t’i bëhen të gjitha ekzaminimet mjekësore, pas raportimeve të mediave se polici ka pasur marrëdhënie seksuale me të.

“Nuk është vërtetuar. Për momentin dyshojmë, ende nuk është kryer ekzaminimi mjekësor”, ka thënë Kadriu.

Ai madje theksoi se në një rast të tillë ku një e mitur konsiderohet edhe me zhvillim të vonshëm mendor, dënimi në këtë rast për policin do të prekte deri në 15 vite.

Zyrtari ligjor i Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN), Kastriot Berisha, tregoi se në sistemin gjyqësor të Kosovës që nga viti 2019 kur rastet e ngacmimeve seksuale janë bërë të dënueshme, nuk është dënuar ndonjë person.

“Njëra prej arsyeve kryesore se pse këto raste mungojnë nëpër gjykata është se kur ka hy në fuqi ligji për ngacmimin seksual nuk ka pasur një fushatë që do të inkurajonte viktimat që të paraqiten dhe nuk ka pasur fushatë vetëdijësuese se këto veprime janë të ndaluara me ligj”, tha Berisha deri sa shton se një fushatë e tillë do të ndihmonte në rritjen e numrit të raportimeve.

Tutje Berisha tregoi edhe se si duhet të trajtohen viktimat e ngacmimeve seksuale nga ana e institucioneve.

“Fillimisht institucionet duhet me i trajtu me kujdes viktimat e ngacmimeve seksuale, duhet të mbrojnë identitetin e tyre, duhet të ndërmarrin veprime të duhura me kohë, duhet të merren deklaratat menjëherë pasi të merren menjëherë dhe duhet që kryerësit e këtyre veprave t’i dërgojnë në trajtim në mënyrë që rastet të tilla të mos përsëriten”, tha ai.

Zyrtar Ligjor, BIRN, Kastriot Berisha, FOTO: KALLXO.com

Berisha theksoi se fakti që në Kosovë nuk ka raste të suksesshme me dënime ndaj personave për ngacmim seksual, kjo mund të jetë një arsye tjetër që të mos ketë inkurajim që viktimat të lajmërojnë abuzimin.

Drejtoresha e Organizatës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve (KOMF), Donjetë Kelmendi, tha se në disa raste sistemi prokurorial ka dështuar të trajtojë raste të cilat kanë të bëjnë me abuzimin seksual.

“Ka pasur raste që janë bërë publike edhe në media ku kemi  cilësuar si koalicion që prokuroria ka dështuar në punën e tyre sipas mandatit të tyre për rastet e abuzimeve seksuale”, thotë Kelmendi.

Donjeta Kelmendi, KOMF, Foto: KALLXO.com

Ajo shton se në shkolla dhe në familje nuk diskutohet për ngacmimet seksuale dhe se çka duhet të ndërmerret ndaj këtyre rasteve,

“Ne si koalicion kemi bërë thirrje në vazhdimësi që fëmijët duhet qysh në moshë të vogël të njoftohen dhe të edukohen për format e abuzimit edhe për abuzimin seksual. Qysh në shkolla tema të tilla duhet të fliten edhe në familje në mënyrë që fëmijët përveç që të njohin edhe të dinë se çka përbën sulmi seksual apo abuzimi seksual dhe të dinë ta raportojnë dhe të flasin hapur në mënyrë që abuzimi mos të ndodh. Tani për tani pak ka programe që punojnë për fëmijët për abuzimin seksual ose për format e abuzimit seksual edhe në kuadër të shkollave pak flitet”, tregon tutje Kelmendi.

Në anën tjetër, psikologia Afërdita Këqiku tha se rastet e abuzimeve seksuale fshihen dhe kjo gjë është alarmante.

“Ka raste kur fshihet se fëmija është i abuzuar seksualisht, sepse nuk dëshirojnë familja që fëmija i tyre të etiketohet që fëmija është i ngacmuar seksualisht por ata që i raportojnë rastet, trajtohen mirë edhe vazhdojnë jetën e tyre. Këto raste nuk duhet të mbahen fshehtë. Këto raste duhet të lajmërohen. Sepse nëse kemi trend rritje të këtyre rasteve atëherë është për shkak të stigmatizimit dhe për shkak të rasteve që fshihen dhe nuk raportohen. Nëse rastet raportohen zinxhiri kriminal zbulohet”, tregon Këqiku.

Afërdita Këqiku, Psikologe, Foto: KALLXO.com

Ajo tregoi edhe se cilat kategori të njerëzve janë më të shënjestruara për të ushtruar abuzim seksual.

“Sipas hulumtimeve dhe raportimeve deri tash që janë bërë më shumë janë të prekur fëmijët, adoleshentët, janë pleqtë që jetojnë në ambientet e tyre dhe personat me sëmundje mendore”, tregon tutje Këqiku deri sa shton se forma e drejtpërdrejtë është forma që përdoret më së shpeshti nga personat që kryejnë abuzime seksuale.

Psikologia Këqiku tha se disa nga rastet e abuzimeve seksuale dhe nga pasojat më pas janë shkaktuar edhe fatkeqësi.

“Pasojat disa mund të jenë edhe fatale fatkeqësisht, kanë depresion, stres, ankth kanë vetë-lëndime të ndryshme që hasen edhe nga ana a e kujdestarëve të klasave të shoqërisë”, tregon ajo.