Seancë në Gjykaten e Gjilanit

Njëri i akuzuar në spital, dështon seanca ndaj të akuzuarve për vrasjen e kushëririt

Besmir Ismajli, Samet Ismajli, Fisnik Ismajli, Ismet Ismajli dhe Izri Ismajli, të akuzuar për vrasjen e Muhamet Ismajlit në fshatin Sadovinë e Çerkezëve dhe Ermond Ismajli, i akuzuar për lëndim të lehtë trupor ishin paraparë të dalin sot para gjykatësit por  seanca ndaj tyre dështoi të mbahet.

Shkak për dështimin e seancës së sotme ishte mungesa e të akuzuarit Ermond Ismajli, i cili ishte i sëmurë.

“Gjykata është njoftuar nëpërmes telefonit nga Sadbere Maliqi, mbrojtësja e të akuzuarit Ermond se ai është i shtrirë në spital dhe ne si trup gjykues kërkojmë nga mbrojtësja që brenda ditës të na sigurojë me shkrim se i akuzuari është i shtrirë në spital”, tha gjykatësi Zyhdi Haziri.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit Besmir Ismajli, Samet Ismajli, Fisnik Ismajli, Ismet Ismajli dhe Izri Ismajli, në muajin maj të vitit 2019, në fshatin Sadovinë e Çerkezëve, Komuna e Vitisë, kanë vrarë Muhamet Ismajlin.

Aktakuza thotë se pasi nuk kishin mundur të merreshin vesh kishte eskaluar situata dhe të akuzuarit me mjete të forta, si dru dhe shufra metalike, e godasin tani të ndjerin në pjesë të ndryshme të trupit duke i shkaktuar vdekjen, si pasojë e thyerjes së kockave të kafkës.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, i akuzuari Ermond Ismajli të njëjtën ditë dhe në të njëjtin vend dhe për të njëjtat arsye (për shkak të një prone kontestuese), u ka shkaktuar lëndime trupore Ismet Ismajlit dhe Fisnik Ismajlit duke i goditur me lopatë, në pjesë të ndryshme të trupit.

Seanca që është dashur të mbahet sot, u shty për 23 nëntor.

Dëshmitari rrëfen në gjykimin e të akuzuarve për vrasjen e kushëririt të tyre