Nis seanca në Gjykatë ndaj të arrestuarve, Besnik Berisha mungon, gjendet në QKUK

Në gjykatën e Ferizajt është duke u mbajtur seanca dëgjimore me 6 të arrestuarit e djeshëm, ndërsa i arrestuari i shtatë, avokati Besnik Berisha, për shkak se është i shtrirë në QKUK, nuk do të jetë i pranishëm në seancën e sotme dëgjimore.

Zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazliu ka konfirmuar sot gjatë ditës së avokati Besnik Berisha gjendet i shtrirë në këtë insistucion shëndëtesor.

Avokati Besnik Berisha është arrestuar nën dyshimin për tri vepra penale bashkë me disa persona të tjerë.

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se kanë arrestuar katër persona të cilët dyshohen se kanë kryer veprën penale të dhënies së ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale, pengim i të provuarit dhe ushtrimit të ndikimit.

Sipas njoftimit të prokurorisë, shtëpitë dhe pronat e të dyshuarve janë bastisur gjatë ditës së djeshme me urdhër të Gjykatës në Ferizaj.

KALLXO.com mëson se të dyshuarit janë arrestuar për një rast të fajdeve, ndërsa rastin ka qenë duke e hetuar nga Drejtoria për Krimet e Rënda në polici së bashku me Prokurorinë Themelore në Ferizaj.

Siç mëson KALLXO.com, disa persona nga grupi dyshohen si sekserë, pasi kanë pranuar para për të ndikuar në rast.

Burime të KALLXO.com kanë thënë se personat të cilët kanë qenë në paraburgim kanë ofruar shuma të ndryshme të parave duke filluar nga 50 mijë deri në 100 mijë euro që të dalin nga paraburgimi në lidhje me rastin e fajdeve.