Ngecjet e gjyqësorit në trajtimin e krimeve seksuale

Brenda një periudhe 5 vjeçare në Kosovë janë ngritur mbi 500 aktakuza nga prokuroria për vepra penale të dhunimeve dhe abuzimeve seksuale.

Mesatarja e mbi 100 akuzave në vit duket se është si rezultat i “përkëdheljes” me dënime të buta ndaj kryerësve të krimeve seksuale nga gjykatat e vendit. Kjo praktikë tregon se numri i atyre që shkojnë në burg për veprime të tilla është më i ulët se sa i atyre që shpëtojnë pa therë në këmbë.

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese(BIRN) ka analizuar rrjedhën statistikore të lëndëve të krimeve seksuale në gjykatat e Kosovës.

Të dhënat tregojnë që për mbi 1000 denoncime të krimeve seksuale, janë ngritur 521 aktakuza, ndërsa dhunuesit e abuzuesit seksual në shumicën e rasteve i kanë shpëtuar burgut pasi janë dënuar me gjobë, me kusht ose nuk janë gjykuar fare pasi lëndët e tyre janë vjetërsuar.

Në të dhënat e analizuara, BIRN ka trajtuar të gjitha lëndët e veprave penale të krimeve kundër integritetit seksual ku hyjnë dhunimi, trafikimi seksual, sulmi seksual, degradimi i integritetit seksual, keqpërdorimi i fëmijëve në ponografi, prostitucioni dhe marrëdhëniet seksuale brenda familjes.

Për këto vepra, Ligji ka paraparë dënime të ashpra, mirëpo të tilla nuk po shqiptohen nga gjykatat e vendit pasi në shumicën e rasteve dënimet janë minimale.

Të dhënat statistikore të publikuara në këtë analizë kanë për bazë të dhënat e hapura nga data baza e të dhënave e krijuar nga BIRN, që ka për  burim të dhënat e hapura të ofruara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës si dhe Agjencia për Ndihmë Juridike Falas.

Databaza nga ku janë nxjerrë të dhënat për këtë publikim shfaqë të dhëna të cilat dëshmojnë se qindra dosje janë vjetërsuar si rezultat i mostrajtimit me kohë nga gjyqësori.

Sipas këtyre të dhënave, nga viti 2016 e deri në vitin 2019 janë parashkruar plot 196 raste të krimeve seksuale.

Më tragjikja është se 39 lëndë janë parashkruar për shkak të mos ndërmarrjes së asnjë veprimi nga ana e gjykatës për një periudhe të gjatë kohore, e cila në zhargonin juridik quhet parashkrimi relativ i rasteve.

Situata është e rëndë në departamentin e përgjithshëm ku të dhënat tregojnë që më shumë raste janë parashkruar se sa janë shqiptuar dënime.

Të dhënat tregojnë që Gjykata Themelore në Prishtinë është vendi ku kanë ndodhur më së shumti vjetërsime. Kjo gjykatë përpos që ka numrin më të madh të lëndëve të krimeve seksuale, në punë ka edhe numrin më të madh të rasteve të parashkruara. Të dhënat e paraqitura tregojnë se lëndët e krimeve seksuale në gjykatën e Prishtinës më shumë janë parashkruar se sa zgjidhur përgjatë viteve.

Model i ngjashëm është ndjekur edhe nga gjykatat e tjera. Të dhënat tregojnë se për 4 vite në departamentin e përgjithshëm të të gjitha gjykatave të tjera (përjashtim Prishtina) për krime seksuale janë shqiptuar vetëm dy dënime me burgim, njëri nga gjykata e Gjilanit e tjetri nga ajo e Prizrenit.

Gjykata Themelore në Pejë, Mitrovicë, Gjakovë dhe Ferizaj gjatë viteve 2016-2019 nuk kanë shqiptuar asnjë dënim me burgim, përderisa të njëjtave gjatë këtyre viteve u janë parashkruar 41 lëndë të krimeve seksuale.

Statistikat tregojnë që vjetërsimi i lëndëve ka qenë i shpeshtë edhe në Gjykatën e Prizrenit dhe atë të Gjilanit. Në Gjilan gjatë kësaj periudhe kohore janë parashkruar nëntë raste ndërsa është dënuar me burgim vetëm një rast, kurse në Prizren janë parashkruar 11 raste dhe është shqiptuar vetëm një aktgjykim dënues.

Trajtimi i rasteve serioze të dhunës seksuale nga krimet e rënda

Dhunimi është në mesin e krimeve të rënda seksuale. Kodi penal parasheh që për në vepër të tillë të shqiptohen dënime të ngjashme me dënimet për vrasje.

Por statistikat tregojnë që fryma e kodit penal është injoruar komplet nga gjykatat gjatë shqiptimit të dënimeve.

Të dhënat tregojnë se ka pasur raste kur dhunimi është dënuar me dënim me gjobë ose me kusht.

Dënimi me kusht nënkupton faktin se i dënuari nuk dërgohet në burg për vuajtje të dënimit nëse nuk kryen ndonjë vepër të re penale brenda një periudhe të caktuar.

Kjo nënkupton se në një numër të madh të rasteve, kryerësit e dhunimit i kanë shpëtuar burgut duke u dënuar me kusht ose me gjobë.

Dënime të tilla janë shqiptuar në disa raste nga Gjykata Themelore në Prishtinë, e cila nga viti 2017 e deri në vitin 2020 më shumë ka shqiptuar dënime me gjobë dhe me kusht për kryerësit e veprave penale të dhunimit, se sa dënime me burgim.

Statistikë shqetësuese në trajtimin e rasteve të dhunimit nga Gjykata e Prishtinës përbënë numri i rasteve të parashkruara, kjo për faktin se afati i vjetërsimi i tyre është shume herë me i lartë për shkak të dënimit të ashpër që parashihet për këtë vepër.

Sipas Ligjit, që një vepër penale e dhunimit të vjetërsohet, duhet të kalojnë 20 vite nga koha kur është kryer vepra penale, mirëpo ky kufi ligjor kishte qenë më i shkurtër me Kodin e vjetër penal, ku për veprat e dënueshme mbi 5 vite, lënda vjetërsohej me kalimin e afatit 10 vjeçar.

Kjo nënkupton se Gjykata e Prishtinës nuk ka arritur për një kohë të gjatë t’i trajtojnë këto raste dhe rrjedhimisht është arritur vjetërsimi i tyre.

Më mirë nuk qëndrojnë punët as në gjykatat e tjera. Të dhënat tregojnë se gjatë viteve 2017-2020 në të gjitha gjykatat e shkallës së parë janë trajtuar 181 raste të dhunimit, prej të cilave në 26 raste janë shqiptuar dënime me burgim, 20 raste dënime me gjobë dhe dënime me kusht, ndërsa 7 raste janë vjetërsuar për shkak të mos trajtimit me kohë.

Vepër tjetër e rëndë e kualifikuar sipas Kodit Penal është edhe keqpërdorimi seksual i të miturve nën moshën 16 vjeçare. Për këtë vepër Ligji ka përcaktuar dënime deri në 20 vite burgim, mirëpo njëjtë nuk është zbatuar nga gjykatat të cilat edhe në raste të tilla kanë shqiptuar dënime me gjobë dhe dënime me kusht.

Sipas të dhënave nga databaza, për vitet 2017 – 2020, gjykatat e shkallës së parë në të gjithë vendin kanë shqiptuar në 27 raste dënime me kusht dhe dënime me gjobë për vepra të tilla ndonëse sipas Ligjit, dënimet janë shumë të ashpra për këdo që kryen vepra të tilla ndaj të miturve.

Siç shihet edhe tabelë, Gjykata Themelore në Ferizaj gjatë kësaj periudhe ka shqiptuar më shumë dënime me gjobë dhe dënime me kusht se sa dënime me burgim për keqpërdorimin seksual ndaj të miturve.

Kjo gjykatë në 11 raste ka shqiptuar dënime me gjobë dhe kusht ndërsa vetëm në 9 raste ka shqiptuar dënime me burgim. Ngjashëm ka vepruar edhe Gjykata e Gjilanit e cila ka shqiptuar dënime me kusht dhe gjobë aq sa ka shqiptuar dënime me burgim për këto raste.

Të dhënat e publikuara tregojnë për probleme të mëdha edhe në trajtimin e rasteve të keqpërdorimeve seksuale të cilat kryhen nga personat në pozitë ose me autoritet ndaj viktimave të cilat janë të varura nga ta.

Raste të tilla konsiderohen ato të punëdhënësve me punëtorë, mësimdhënësve me nxënësit, mjekëve me pacientët, ku viktima paraqitet e varur financiarisht ose në ndonjë formë tjetër nga personi në pozitë.

Statistikat tregojnë se në gjykatat tona ka pasur raste të tilla që janë gjykuar, mirëpo në asnjë rast nuk është shqiptuar ndonjë dënim me burgim edhe pse sipas Ligjit, kjo vepër dënohet deri në 5 vite.

Sipas të dhënave në Prishtinë gjatë viteve 2017-2020 ka qenë duke u trajtuar një rast i kësaj natyre, i cili në fund është gjykuar me gjobë.

Ngjashëm ka përfunduar edhe një rast në Pejë dhe një tjetër në Ferizaj, të janë zgjidhur në forma të tjera përmes procedurave alternative.

Ndërkaq në Mitrovicë kanë qenë 2 raste dhe në Gjilan 1 rast, të cilat për 3 vite nuk kanë arritur të gjykohen.

Trajtimi i krimeve seksuale nga Prokuroria

Të dhënat statistikore nga databaza tregojnë se trendi i krimeve seksuale të cilat paraqiten në prokurorinë e shtetit është i ngjashëm ndër vite. Sipas këtyre të dhënave janë mbi 100 raste të cilat çdo vit raportohen nga viktimat e krimeve seksuale dhe paraqiten në formë të kallëzimeve penale në Prokurorinë e shtetit.

Të dhënat tregojnë se gjatë viteve 2016-2021 janë ngritur 521 aktakuza të cilat kanë të bëjnë me krimet seksuale.

 

Pos tjerash, të dhënat nga Prokuroria tregojnë se jo të gjitha rastet që janë në trajtim arrijnë të zgjidhen brenda një viti.

Sipas statistikave, sistemi prokurorial brenda një viti arrinë t’i zgjidhë vetëm 50% të kallëzimeve penale të cilat paraqiten.

Në vitin 2016 kjo mesatare ishte 60%, ndërsa në vitet e tjera kishte pësuar rënie. Mesatarja në vitin 2017 kishte rënë në 41%, në vitin 2018 në 47% ndërsa në vitet 2019 dhe 2020 kishte arritur në 55%.

Ky raport është mbështetur në të dhënat e grumbulluara nga projekti ‘Databaza për luftimin e narrativeve të dëmshme mbi gjyqësorin.

Ky raport është mbështetur në të dhënat e grumbulluara nga projekti ‘Databaza për luftimin e narrativeve të dëmshme mbi gjyqësorin’.

Programi është përkrahur nga Fondacioni i Mijëvjeçarit në Kosovë (MFK) dhe Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC).

Të dhënat në raport nuk paraqesin qëndrimet e MFK dhe MCC por janë qëndrime të Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese.