Mbindërtimi në Novobërdë e nxjerr para Gjykatës shefin e urbanizmit Selatin Beqiri

Selatin Beqiri, shef i urbanizmit në Komunën e Novobërdës, ka dalur para gjykatësit për t`u përballur me akuzën e Prokurorisë për keqpërdorim të detyrës.

Bashkë me Beqirin, në këtë rast po akuzohet edhe Osman Ramadani, për heqjen e shenjave zyrtare.

Tutje në seancë u dëgjua dëshmitari Xhevat Mehmeti, i cili e kishte përpiluar kallëzimin penal lidhur me këtë rast.

Sipas aktakuzës, Selatin Beqiri, me datë 02.11.2018 i ka lëshuar leje Osman Ramadanit, për mbindërtimin e një objekti në fshatin Pasjak, Komuna e Novobërdës para se drejtori i Inspeksionit të merr aktvendimin për ndalimin e këtij mbindërtimi.

Ky i fundit kishte dalur në vend të ngjarjes me datën 01.11.2018 në të cilën datë e ka rrethuar objektin me shirit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari tjetër Osman Ramadani, pasi kishte pranuar aktvendimin për ndërprerjen e punimeve për objektin e mbindërtimit, në mënyrë të paautorizuar ka hequr shenjën zyrtare dhe ka vazhduar me punimet në mënyrë të kundërligjshme.

Në vazhdim u dëgjua dëshmitari Xhevat Mehmeti, i cili tha se mbetet pranë deklaratës që e ka dhënë në Prokurori.

“Si drejtor i Inspeksionit në Komunën e Novobërdës, i mbikëqyr të gjithë inspektorët e ndërtimtarisë, por në Komunën tonë nuk kemi asnjë inspektor (të ndërtimtarisë). Në ditën kur kam dalur në terren për inspektim i kam ndalur punimet në atë objekt me aktvendim, por nuk kam të drejt të nënshkruaj proces”, tha dëshmitari Xhevat Mehmeti.

Tutje dëshmitari tha se nuk është jurist dhe se e ka shumë të vështirë punën pasi që nuk ka inspektor të ndërtimtarisë në Komunë.

“Kur merret vendimi për lejim të ndërtimit, vendimi tjetër (i cili e ka ndaluar ndërtimin), automatikisht shfuqizohet. Pronari i cili është pajisur me leje të ndërtimit ka të drejt që mos të më njofton mua fare, lejen e ndërtimit e kam parë pas vendimit të ndërprerjes së punës. Kur kam dalur në terren nuk e kam verifikuar se a ka leje ndërtimi pronari objektit apo jo, vetëm kam dalur në inspektim dhe kam vendosur ti ndaloj punimet”, përfundoj dëshmitari Mehmeti.

Në mungesë të 5 dëshmitarëve, të cilët në shkresat e lëndës figuronin se gjinden jashtë Kosovës, seanca e sotme u shtye për datën 24 mars.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë çështje – LINK