Novobërdë, shefi i urbanizmit akuzohet se lejoi mbindërtimin pa leje

Selatin Beqiri, shef i urbanizmit në Komunën e Novobërdës po akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare në lidhje me një mbindërtim në këtë komunë.

Bashkë me Beqirin, në këtë rast po akuzohet edhe Osman Ramadani, për heqjen e shenjave zyrtare.

Sipas aktakuzës, Selatin Beqiri, me datë 02.11.2018 i ka lëshuar leje Osman Ramadanit, për mbindërtimin e një objekti në fshatin Pasjak, Komuna e Novobërdës para se Drejtori i Inspeksionit të merr aktvendimin për ndalimin e këtij mbindërtimi.

Ky i fundit kishte dalur në vend të ngjarjes me datën 01.11.2018 në të cilën datë e ka rrethuar objektin me shirit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari tjetër Osman Ramadani,pasi kishte pranuar aktvendimin për ndërprerjen e punimeve për objektin e mbindërtimit, në mënyrë të paautorizuar ka hequr shenjën zyrtare dhe ka vazhduar me punimet në mënyrë të kundërligjshme.

Në vazhim të seancë, prokurori tha se mbetet pranë aktakuzës të paraqitur me shkrim në gjykatë.

“Kemi prova të mjaftuara se të akuzuarit i kanë kryer veprat penale që akuzohen andaj i propozoj Gjykatës që të vazhdohet me shqyrtimin gjyqësor “, tha prokurori Isuf Sadiku.

Avokati Artan Ibrahimi, mbrojtës i Selatin Beqirit deklaroi se e kundërshton aktakuzën pasi që është “e pa argumentuar”.

“Kjo aktakuzë është e pa bazë ligjore pasi që nuk ka përshkrim të fakteve, nuk është bërë e qartë se me cilat veprime është kryer kjo vepër pasi që nuk është cekur se cili nen i ligjit të  ndërtimit është shkelur. Askund nuk përmendet se i njëjti i ka shkelur autorizimet e tij si person zyrtar dhe nuk dihet se kujt i ka shkaktuar dëm klienti im”, tha avokati Artan Ibrahimi.

Kurse mbrojtësi i të akuzuarit Osman Ramadani, avokati Sevdail Robelli tha se e kundërshtojnë dispozitivin e dytë të aktakuzës.

“Konsiderojmë se kjo aktakuzë nga vetë përmbajtja e saj është kontradiktore ku dispozitivat e saj janë në kundërshtim me njëra tjetrën. Ne do ta bindim trupin gjykues se i mbrojturi im nuk e ka kryer veprën penale”, tha avokati Robelli.

Në vazhdim u dëgjua dëshmitari Hajrush Halili, zyrtar i policor i cili e kishte përpiluar kallëzimin penal.

Ai tha se  mbetet pranë raporteve që i ka përpiluar në cilësinë e hetuesit policor e të cilat janë në shkresat e lëndës.

Pasi që nuk kishte kushte ligjore për vazhdimin e seancës se sotme gjyqësore e njëjta u shty për muajin shkurt 2020.

Për seancën e radhës gjykatësi Zyhdi Haziri tha se dy dëshmitarëve do tu lëshohet urdhëresë për sjellje me dhunë.