Foto: KALLXO.com

Masakra në Pejë, dëshmitari: Serbët i vranë 4 veta para syve të mi

Në gjykimin e Zoran Gjukiqit, i akuzuar për krime lufte ndaj civilëve shqiptarë në lagjen “Kristal” të Pejës, ka dëshmuar edhe i mbijetuari i kësaj masakre, Shaban Kaliqani.

Duke folur për ngjarjet e marsit 1999, dëshmitari ka rrëfyer për vrasjen e Hilmi Zeqirit, Skender Zeqirit, Bashkim Berishës dhe Riza Mamajt.

Fillimisht tha se për shkak të situatës së krijuar më 28 mars 1999 ishte vendosur me gruan dhe fëmijët te familja e Hilmi Zeqirit.

‘’Në mëngjes të 29 marsit 1999, kah ora 9:20, kemi dalë në derë të oborrit të shtëpisë së Hilmiut. Ai e ka pas djalin e vogël në dorë, në moment e kam parë një ushtar me uniformë dhe I kam thënë: Ik se po vjen ushtari! dhe jemi fut brenda, dhe gratë dhe fëmijët I kemi fut në bodrum, dhe nuk është bërë 2-3 minuta kur është thy dera e korridorit dhe është dëgjuar zëri: Dilni jashtë se ju kallim krejtve”, tha dëshmitari.

Shaban Kaliqani tha para Gjykatës se dy paramilitarët i kishin rënë shuplakë dhe e kishin tallur, duke e pyetur se cila është ushtria më e fortë pasi i kishin nxjerrë nga bodrumi.

“Kur kemi dalë në korridor, gratë dhe fëmijët i kanë qit jashtë pastaj mua më mëshuan shuplakë dhe më thanë se cila është ushtria më e fortë, e më pyetën se a është ushtria serbe ma e forta, i thashë po, pastaj ma ka mëshu me kondak të armës dhe jam rrëzu e pastaj më thanë hajde na jep pare, aty i kam dhënë 100 marka’’, tha dëshmitari.

Pastaj dëshmitari tregoi se pasi i kishin nxjerrë jashtë gratë dhe fëmijët atë, Hilmiun dhe Skenderin i kishin mbështetur për muri të oborrit dhe u kishin kërkuar para edhe më shumë.

Shabani tha se kishte dalë dhe kishte kërkuar nga gruaja 500 marka të tjera dhe kur ishte kthyer në oborr serbët i kishin thënë edhe Skenderit se duhej të paguante më shumë para për atë dhe vëllain e.

“Pastaj na kanë qit në oborr na kanë mbështet për muri. Gratë dhe fëmijët i kishin qitë jashtë oborrit ndërsa neve na mbështetën për muri dhe më thanë dil merr para të tjera, kam dal dhe ia kam marrë gruas edhe 500 marka, pastaj jam kthy, ishin tre vetë dhe i thanë Hilmiut: Pare! Skenda i ka shti duart në xhep e kur ua dha ata thanë pak janë këto për dy vetë dhe pastaj Skenda kishte dalë për të marrë para te gruaja e tij’’, tha dëshmitari Shaban Kaliqani.

‘Ky ma mori vëllain’: Dëshmitarja qan kur kujton momentin si ia vranë vëllain ushtarët serbë në Pejë

Ai tregoi pse dhe si e kishin vrarë serbët Hilmi Zeqirin.

“Kur doli Skenda jashtë, ai paramilitari i tha Hilmiut se unë po të njoh diku. Pastaj u lirua Hlmiu dhe i tha: Po, se vjen në qebaptore te unë  me Zoranin dhe pini birra deri sa po e mbyll dyqanin. Ai paramilitari tha se tash po më kujtohet kush je dhe e ka pasë Kallashin në dorë e ka gjujtë me  një plumb Hilminë  në pjesën e barkut. Unë isha afër Hilmiiut, nga ky plumb Hilmiu mbeti gjallë tu lyp ndihmë e duke thënë” fëmijët, fëmijët, fëmijët. Paramilitari është kthyer kah unë dhe e ka nxjerrë një thikë të madhe nga pjesa e përparme e jelekut të ushtrisë dhe mua më tha: Kthehu nga muri. Unë I thashë se nuk mundem. Në atë moment e ka kthy thikën dhe më ka thënë hape gojën dhe ma ka fut Kallashin në gojë. E ka hek Kallashin, sillej në vend, fshajke por nuk e tërhoqi këmbëzën. Herën e dytë më tha se a ki çka më jep se s’kam kohë me pritë. Pastaj ia kam dhënë unazën dhe më ka thënë: shko te gruaja merre dukatin, pastaj kam shku te gruaja e kam marrë dukatin ia kam hek edhe vathët, kam hy, ia kam lëshu në dorë. Në atë kohë e ka gjuajt edhe një herë Hilmiun , i cili ishte i mbështetur në njërin bërryl dhe herën e dytë plumbi e ka goditë në pjesën e djathtë pas brinjve. Në atë moment ka hyrë Skenda, i cili deshi të shkonte te vëllai i tij por paramilitari nuk e la”, tha dëshmitari Kaliqani.

Pastaj dëshmitari deklaroi se atë dhe Skender Zeqirin i kishin nxjerrë jashtë oborrit, në rrugë dhe u kishin thënë të ecin por aty ishin ndalur nga një serb I quajtur Gjura, i cili i kishte pyetur serbet e tjerë se çfarë duhet bërë me ta.

“Aty ishte Gjura të cilin e kam njohur dhe më ka kapur për fyti dhe I ka thënë atij brenda: çka me ba me këta. Ai tha: lëshoji se kanë dhënë diçka. Aty ishin kanë tuj e mbajtë edhe Bashkimin, ndërsa Bashkimit i kanë thënë me u nis përpjetë me mua dhe Skenderin”, rrëfeu dëshmitari Shaban Kaliqani.

Tutje dëshmitari tregoi se derisa ishin duke ecur në të dy anët e rrugës kishte paramilitarë të armatosur dhe kur kishin arritur te shtëpia e Asllan Mulës i kishte ndalur njëri prej tyre.

“Rrugës tu ecë në anën e majtë kanë qenë të renditur paramilitarët e armatosur dhe kur kemi shkuar te  shtëpia e Asllan Mulës dyert e shtëpisë ishin të hapura dhe para shtëpisë së tij na ka ndalu njëri prej tyre, i cili ishte me uniformë dhe na ka pyetur si e keni mbiemrin, mua të parin e kemi thënë Kaliqani, Zeqiri dhe Berisha’’, shtoi ai.

Dëshmitari Kaliqani tregoi se si paramilitari u kishte thënë Bashkim Berishës e Skendër Zeqirit të futeshin në shtëpinë e Asllan Mulës.

“Pastaj e ka çuar gishtin te hunda ime ndërsa Skendes dhe Bashkimit u ka thënë hyni në oborr. Mua nuk më tha as nisu, as rri. Në oborr ishte një kerr ngjyrë të gjelbër dhe një traktor. Para traktorit i kanë ndalur dhe I kanë shti me u kthy kah ai. Skendën e kanë vra të parin duke i gjuajtur turive -fytyrës, pas 1  sekonde  ose 2 e kanë vra Bashkimin në gjoks  dhe ka rënë  nën traktor”, tha dëshmitari Shaban Kaliqani.

Pas vrasjes Bashkim Berishës  dhe Skender Zeqirit, dëshmitari tha se atij i kishin thënë të vraponte por i njëjti nga frika nuk kishte mundur as të ecte dhe i kishte tërhequr këmbët duke pritur se kur do të goditet nga plumbat.

“Mua më ka thënë vrapo çka po pret, por unë nuk mundesha me ec dhe I tërheksha këmbët e mia. Kur kam ecur 4-5 metra kam dëgjuar një krisme të pushkës dhe më shkoi mendja mu rrxu se thashë mos më kapi plumbi e s’po e nij. Pas pak ka qit edhe 2 herë por e kisha anash një shtëpi me blloka dhe kuptova se po gjuajnë anash’’, rrëfeu ai.

Tutje dëshmitari tha se duke ecur e kishte takuar edhe Riza Mamajn, i cili ishte duke shkuar në shtëpinë e Asllan Mulës për ta lënë një kurban e të cilit ndonëse ishte munduar t’ia bënte me dorë që të mos shkonte në shtëpinë e Asllan Mulës nuk kishte mundur t’i thoshte asnjë fjalë për vrasjet që kishin ndodhur.

“Ka qenë  duke ardhë Riza Mamaj nga qyteti që kishte blerë një kurban. Kur u afrua tha a janë ata të Asllanit aty, deshta me lon këtë kurban. U mundova me ia bo me dorë që kthehu, se s’kam mujt me fol, se kisha edhe shumë gjak në gojë, dhe ai tha se s’kam ku me shku po shkoj te Asllani. Në atë moment ka vrapu dikush dhe i ka thënë ku po shkon Rizës. Ai i ka treguar që po shkon me lënë kurbanin dhe pastaj ushtari e ka gjujtë rafal dhe ka rënë mbi kurban, ndërsa mua më thanë: Ec, ec, ec, ec”, shtoi dëshmitari.

Më tej, ai tregoi se pasi kishte dalë në rrugë kryesore ishte takuar me gruan dhe fëmijët  e tij e po ashtu edhe me familjet e Hilmiut dhe Skendes e kur e kishin pyetur se ku janë Skenda dhe Hilmiu ai u kishte thënë se ata kishin ikur.

Dëshmitari Kaliqani tregoi për gjykatën edhe se si pasi kishin shkuar të shtëpia e tij e kishte porositur nënën e tij të shkonte në shtëpinë e Hilmiut, Asllanit dhe në rrugën ku ishte vrarë edhe Riza Mamaj të shikonte nëse trupat e pajetë ishin ende aty.

‘’Nanës i kam tregu unë se Hilmiu ka mbetur i vrarë në shtëpinë  e vet, Skenda dhe Bashkimi në shtëpi të Asllanit, dhe Riza ka mbet te kanta e bërllokut dhe i kam thënë shko këqyr a janë kufomat e tyre, ndërsa nëna ime ka thënë se Hilmiu nuk ishte aty por kishte gjak, te Asllani shtëpia ishte duke u kall ndërsa te kanta e bërllokut nuk ishte askush’’.

Dëshmitari Shaban Kaliqani dëshminë e tij do të vazhdojë më 20 janar të vitit 2020.

Zoran Gjukiq akuzohet nga Prokuroria Speciale se në muajt mars-prill të vitit 1999 në lagjen Kristal të Pejës, si pjesëtar i grupeve kriminale, të veshur me uniforma policore, ushtarake dhe paramilitare serbe kishin hyrë dhunshëm në shtëpitë e shqiptarëve dhe pasi i kanë maltretuar fizikisht dhe psikikisht, kanë plaçkitur dhe i kishin detyruar banorët të dalin nga shtëpitë e tyre e pastaj i kanë vrarë.

Sipas prokurorisë, Zoran Gjukiq akuzohet për veprat penale krime lufte në shkelje të rëndë të Konventës së Gjenevës dhe krime lufte në shkelje të rëndë të ligjeve dhe zakoneve që zbatohen në konfliktet e armatosura që nuk janë të karakterit ndërkombëtar.