Gjykimi për krime lufte ndaj të akuzuarit Zoran Gjukiq - 19.12.2019

‘Ky ma mori vëllain’: Dëshmitarja qan kur kujton momentin si ia vranë vëllain ushtarët serbë në Pejë

Seanca u desh që të ndërpritej për 5 minuta në kohën kur Valbona Berisha kujtoi në sallën e gjykatës në Prishtinë momentin e fundit kur e kishte parë të gjallë vëllain e saj, Bashkimin.

Por pavarësisht gjendjes emocionale, ajo mundi që ta identifikojë personin për të cilin ajo tha se e kishte marrë për dore vëllain e saj për ta çuar drejt vdekjes.

Ishte dita e 29 marsit e vitit 1999 dhe në tërë lagjen e saj forcat e armatosura serbe kishin shpeshtuar praninë fizike dhe të shtënat me armë zjarri.

Prindërit e Valbonës dhe Bashkimit kishin shkuar për një trajtim në qendër shëndetësore ndërsa kur ata kishin mbetur vetëm, serbët e uniformuar u kishin rënë në derë.

Për këtë rast, Prokuroria Speciale e Kosovës po e akuzon Zoran Gjukiqin, një serb i cili është sjellë sot në gjykatore i prangosur në duar dhe i lidhur me zinxhirë në këmbë.

Dëshmitarja, e cila ishte 20 vjeçe në kohën kur ndodhi ngjarja në lagjen e saj më 29 mars 1999 në Pejë tha se i kujtohet që ka qenë dita e dytë e Bajramit dhe ajo ishte në shtëpi me prindërit dhe vëllain.

“Mami ka qenë e sëmurë prej diabeti dhe kanë shkuar për ta matë sheqerin, kam mbetë vetëm me vëllain Bashkimin  në shtëpi, pastaj vëllai im Bashkimi ka dalë për Bajram në kojshi, edhe unë kam dalë deri në gjysmë të lagjes dhe kam parë ushtrinë në livadh, pastaj kam bërtitë ‘ikni ushtria’ dhe jam kthyer në shtëpi”, kujton Valbona Berisha.

Ajo tha se i kishte thënë edhe vëllait të saj, Bashkimit, të cilin e thërriste me nofkën ‘Taleo’ të ikë dhe të mos dalë në oborr.

“Kur jam kthyer në shtëpi kam parë Bashkimin dhe i kam thënë ‘ik’, por ai më ka thënë se ‘unë nuk iki’ dhe më tha ‘ik ti’. Unë i thash që nuk mundem pa ty dhe në atë moment kam dëgjuar krisma”, tha Valbona Berisha.

“Në atë moment më ka thirrë Bashkimi dhe më ka thënë t’i ndërroj trenerkat dhe i kemi ndërru, pastaj kur kam dashur të shikoj në lagje se çka është tu ndodh jashtë edhe si e kam çel derën ishin dy ushtarë nuk më kujtohen çfarë armësh kanë pasur. Ata më kanë thënë në gjuhën e tyre ‘bjer përtoke’ dhe kam bërtitë, dhe kam bërtit ‘Taleo mos dil’”, tha ajo.

Valbona Berisha tregoi për gjykatën se si e kishin marrë Bashkimin nga ballkoni i shtëpisë për ta dërguar në një shtëpi tjetër në fqinjësi.

“E kam hapur derën, vëllai ishte në ballkon. Ata e kanë marrë dhe e kanë futur në shtëpinë e kojshiut të ndjerë Hilmiut dhe unë te dera jam shtri dhe veç kam pritë edhe se kam pa që ka dalë prej asaj dere”, tha dëshmitarja Valbona Berisha.

Ajo vazhdoi rrëfimin duke thënë se për herë të fundit Bashkimin e kishte parë bashkë me Skënderin dhe një person tjetër duke i futur në atë shtëpi e më pas kishin dëgjuar krismat e armëve.

“Na kanë përzënë dhe kur kam mbërri te dera e Nexhmedinit e kam parë Bashkimin, Skendër Zeqirin, komshiu ynë i ndjeri, burri I Mihries, dhe vëllau i Ilmi Zeqirit, edhe i kam parë që i kanë shti në atë shpi dhe janë dëgju krismat. Neve na kanë shty përpjetë s’kam mujtë as m’i ndihmu as kurgjo, edhe në rrugë jam taku me babin e mamin dhe kojshitë  e tjerë Murat Xhemajli, Shaban Kaliqanin”, kujton ajo.

Pastaj ajo tregoi se pasi ishin nisur për t’u kthyer në shtëpi kishin hasur në policë të armatosur të cilët përveç babait të saj nuk kishin lënë person tjetër të hynin në shtëpi.

“Ne kemi shkuar deri te shkolla ‘Ramiz Sadiku’ dhe kur kemi mbrri te banesat. Aty jemi nda me prindërit e mi nga kojshia dhe kemi ardhë në shtëpi dhe kur kemi mbërri në hyrje të lagjes ishin policia të stacionuar dhe na kanë pyetur ‘kah po shkoni’ edhe babai i tha ‘po shkoj me i marrë do ilaçe se jam i sëmurë’ dhe njëri nga policët na tha se vetëm njëri mundet me shku mi marrë dhe këto dyja me nejtë këtu”, kujton ajo.

Pastaj dëshmitarja Valbona tregoi se si e kishte kërkuar vëllain në shtëpinë e Asllan Mulës.

“Unë e para kam vrapu për në shtëpinë e Asllan Mulës edhe jam afru me hi brenda me shiku se çka u bo me vëllain dhe kur kam dasht me hy mrenda kanë rënë nga kulmi pjesë të kulmit sepse shtëpia ishte duke u djegur. Unë e kam parë vetëm një person me tesha ngjyre kafe dhe kur e kam pa jam trishtu, s’kam mujtë me hy brenda se jam tutë. Aty ishte edhe vëllai im por nuk e kam ditë”, thotë ajo.

Valbona Berisha mundi ta kujtojë se në oborr të asaj shtëpie ka qenë një traktor.

Pastaj dëshmitarja tregoi se pasi policët nuk i kishin lënë të hyjnë në shtëpinë e tyre, ajo së bashku me prindërit ishin strehuar te një familje boshnjake dhe pas tri ore qëndrimi dikush i kishte informuar se Bashkimi ishte vrarë.

“Pas tri ore kanë ardhë disa persona që kanë thënë se i kanë vra Bashkimin, Ilmiun dhe një tjetër për të cilin se kam ditur se kush ishte, pastaj kam shkuar te një shtëpi e serbëve e kam lutur një grua që ta dërgojë djalin të shikojë në atë shtëpi i kam thënë ‘veç me kqyr a e kam vëllain aty, Bashkimin’. Ai djali njëherë nuk ka dashtë me shku  por pasi nëna e tij insistoi ai shkoi e kur u kthye tregoi se 4 persona janë të vrarë brenda asaj shtëpie dhe e kam ditë që vëllai im është aty”, tha dëshmitarja Valbona me lot në sy.

Dëshmitarja Valbona Berisha tregoi se në shtëpinë e boshnjakëve kishin qëndruar deri më 1 prill sepse dikush nga serbët i kishte thënë asaj familjeje se jeta e tyre mund të rrezikohet nëse ata mbajnë shqiptarë në shtëpi.

“Kemi qëndruar deri me datën 1 prill kur kanë ardhur personat  Zharko dhe Pranjo dhe na kanë thënë   se për shkak që ne jemi shqiptarë mund me i gjet diçka me qenë shkaktarë për vdekjen e tyre”, tha ajo.

“Pastaj kemi shkuar te Stacioni i Autobusëve, ka pasur ushtri shumë, kemi pritë nuk e di sa dhe ka ardhë një kolonë prej qendrës dhe i jena bashakangjitë asaj kolone deri në kufi të Malit të Zi në këmbë”, kujton ajo.

Ajo tregoi se ishte kthyer në Kosovë në qershor të atij viti, tri ditë pasi kishte hyrë NATO.

“Unë e para jam kthy 3 ditë pasi ka hyrë NATO në Kosovë, unë erdha e para me kqyr për shpi dhe shpija ishte e djegur tërësisht. Kam shkuar në vendin ku është vrarë Bashkimi dhe kam gjet lejen e njoftimit të tij në tokë, atë e kam sepse ajo është që ka mbet prej tij”, tha Valbona Berisha duke e shpalosur dhe treguar atë letërnjoftim para gjykatës.

Valbona Berisha tregon në gjykatë letërnjoftimin e vëllait të saj, Bashkimit, i vrarë nga forcat serbe në mars 1999 në Pejë. Foto: Kallxo.com

Ajo tregoi se për trupin e vëllait të saj kishte kërkuar në çdo varrezë masive derisa ishte gjetur në një varr masiv në Batajnicë, afër Beogradit.

“Kudo ku ka pasë varreza masive kam qenë personalisht me kqyr a po gjindet trupi i Bashkimit, datën nuk e di kur është gjetë por në Batajnicë është gjetur një muaj pas vdekjes së babait”, tha dëshmitarja.

Ndërsa lidhur me personi që i kishte marrë vëllain e saj Bashkimin, ajo deklaroi se nuk e ka njohur por duke e shikuar fytyrën e të akuzuarit Zoran Gjukiq në gjykatë deklaroi se ai është personi që e kishte kapur Bashkimin për krahu për ta futur në shtëpinë nga e cila nuk doli më i gjallë.

“Unë ata persona nuk i kam njohur, nuk e kam dite se kush janë por ato fytyra shumë mirë i njoh dhe kam mësuar Zoran Gjukiq, është ai personi që e ka kapur vëllain tim për dore dhe e ka futur në shtëpinë e Ilmiut”, dekaroi me lot në sy dëshmitarja Valbona Berisha.

“Për herë të fundit Bashkimin e kam pa kur unë jam kanë te dera e Nexhmedinit dhe ata i kam parë midis ushtrisë me Skendën. Ajo është hera e fundit që e kam parë”, tha dëshmitarja duke qarë.

Më pas ajo e vazhdoi dëshminë ulur meqë nuk ndihej mirë emocionalisht.

Paraprakisht seanca qe ndërprerë për rreth 5 minuta për shkak të gjendjes emocionale të dëshmitares.

Valbona Berisha u përgjigj shkurt me “Po, kur u pyet nga përfaqësuesi tri familjeve të dëmtuara, avokati Kujtim Kërveshi, se “ju keni bërë edhe një përshkrim pastaj edhe një identifikim me fotografi të personit që ju ka marrë vëllain, a është ai personi që keni identifikuar në fazën e hetime ai që u mori vëllain tuaj.

Më pas Kërveshi e pyeti për dukjen në fytyrë të ushtarëve të cilët i ka parë duke ia marrë vëllain.

“Kanë qenë të lyer me nga dy vija nga hunda në drejtim të mollëzave”, përshkroi Valbona Berisha.

E pyetur se “a të kanë pengu këto vija me identifiku personin”, dëshmitarja Valbona Berisha deklaroi se “jo nuk më ka pengu”.

Në fund e pyetur nga përfaqësuesi Kujtim Kerveshi se “edhe nëse ishe deklaru 1 milion herë a kishe pas ndonjëherë një fije dyshimi se personi që ta ka marrë vëllain është personi të cilin e keni përshkru e keni idenifiku dhe është sot në sallë të gjykimit” dëshmitarja Valbona Berisha u përgjigj “jo, nuk kam dyshim”.

Zoran Gjukiq akuzohet nga Prokuroria Speciale se në muajt mars-prill të vitit 1999 në lagjen Kristal të Pejës, si pjesëtar i grupeve kriminale, të veshur me uniforma policore, ushtarake dhe paramilitare serbe kishin hyrë dhunshëm në shtëpitë e shqiptarëve dhe pasi i kanë maltretuar fizikisht dhe psikikisht, kanë plaçkitur dhe i kishin detyruar banorët të dalin nga shtëpitë e tyre e pastaj i kanë vrarë.

Sipas prokurorisë, Zoran Gjukiq akuzohet për veprat penale krime lufte në shkelje të rëndë të Konventës së Gjenevës dhe krime lufte në shkelje të rëndë të ligjeve dhe zakoneve që zbatohen në konfliktet e armatosura që nuk janë të karakterit ndërkombëtar.