
Kërkohet 1 muaj paraburgim për personin që dyshohet se fitoi tender me vlerë 47 mijë euro përmes dokumenteve të rreme
Prokuroria Themelore në Gjilan po kërkon paraburgim për të dyshuarin i cili dyshohet se fitoi tender përmes dokumenteve të rreme .
Prokuroria Themelore në Gjilan, ka kërkuar nga Gjykata, caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit J.M..
J.M.,me urdhër të prokurorit të shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh dhe i njëjti po dyshohet se ka kryer veprat penale keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik dhe rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve.
Sipas Prokurorisë ekziston dyshimi i bazuar se, i pandehuri J.M., pronar i kompanisë ‘’Tribune’’, SH.P.K., Prishtinë, ka shkelur rregullat e prokurimit publik gjatë ofertës për dhënien e kontratës së prokurimit publik me titull “Renovimi dhe meremetimi i objekteve spitalore” dhe “Rregullimi i nxehjes qendrore”, në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit.
Tutje sipas Prokurorisë, i dyshuari në mënyrë të kundërligjshme, ka paraqitur dokumentacion të rremë dhe ka arritur të shpallej fitues i tenderit prej 47,058.03 Euro.
Po ashtu, i njëjti, pa autorizim ka lëshuar dokument në emër të personit tjetër.
Sipas Prokurorisë, i dyshuari ka prezantuar kontratë mbi vepër, të cilën e ka nënshkruar në emër të dikujt tjetër, ka përpiluar CV dhe referenca me përmbajtje të rreme të kompanisë së tij.
Gjilan, ndalohet pronari i një kompanie, dyshohet se fitoi tender përmes dokumenteve të rreme