Arrestohet Arianit Sllamniku, dyshohet për veprimtari të kundërligjshme mjekësore
Policia e Kosovës ka arrestuar Arianit Sllamnikun nga Gjilanit, sot më 20.01.2026. Ai po dyshohet për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike dhe eksperimente të kundërligjshme mjekësore dhe testim të barërave.
15:20 – Policia: Qytetarët që kanë marrë shërbime nga Sllamniku dhe mendojnë se janë dëmtuar, të paraqiten në Polici
Policia e Kosovës në Gjilan u ka bërë thirrje qytetarëve që kanë marrë shërbime shëndetësore ose konsultime nga personi i përmendur dhe që mendojnë se mund të jenë dëmtuar, qoftë materialisht ose shëndetët, të paraqiten në ambientet e Njësisë së Hetimeve Rajonale në Gjilan për intervistim.
Policia ka siguruar që çdo informacion i dhënë do të trajtohet konfidencialisht dhe do të kontribuojë në procesin hetimor në përputhje me ligjin.
Më 20.01.2026, Policia e Kosovës ka arrestuar Arianit Sllamnikun, nën dyshimin për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike dhe eksperimente të kundërligjshme mjekësore dhe testim të barërave.
15:08 – Konfirmon Kryeprokurori i Gjilani: Arianit Sllamniku dërgohet në ndalim për 48 orë
Me urdhër të Prokurorisë Themelore të Gjilanit, Policia ka arrestuar Arianit Sllamnikut, i njohur në publik për teori konspirative.
Arrestimin e Sllamnikut e ka konfirmuar kryeprokurori i Gjilanit, Arben Kadriu.
Ai është arrestuar nën dyshimin për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike.
Si dhe për eksperimentet e kundërligjshme mjekësore dhe testimin e barërave.
Sllamniku është ndaluar për 48 orë në masë policore.
Kryeprokurori i Gjilanit, Arben Kadriu në një bisedë shkurt për KALLXO.com ka konfirmuar duke thënë se pas marrjes së informacioneve menjëherë është formuar ekipi i cili tashmë ka nisur edhe trajtimin e rastit.
Kryeprokurori ka konfirmuar se pas ndalimit për 48 orë, ndaj Arianit Sllamnikut do të vazhdohet me procedurat e tjera.
14:40 – Arrestohet Arianit Sllamniku, dyshohet për veprimtari të kundërligjshme mjekësore
Policia e Kosovës ka arrestuar Arianit Sllamnikun nga Gjilanit, sot më 20.01.2026.
Burime të KALLXO.com brenda Prokurorisë Themelore në Gjilan kanë konfirmuar se është ndaluar për 48 orë, Arianit Sllamniku, konspiracionisti i cili, sipas mediave, disa personave u ka shitur ilaçe për kafshë me pretendimin se me to fëmijët do të shërohen nga autizmi.
Sllamniku po dyshohet për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike dhe eksperimente të kundërligjshme mjekësore dhe testim të barërave.
Prokuroria Themelore në Gjilan më herët konfirmoi se ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrje të veprimeve hetimor lidhur me rastin e Arianit Sllamnikut, konspiracionistin i cili, sipas mediave, disa personave u ka shitur ilaçe për kafshë me pretendimin se me to fëmijët do të shërohen nga autizmi.
Prokuroria në Gjilan autorizon Policinë për hetime në rastin ndaj Arianit Sllamnikut
Për këtë rast, mbrëmë, më 19.01.2026 ka reaguar edhe Ministria e Shëndetësisë.
MSH ka njoftuar se lidhur me rastin ka njoftuar institucionet kompetente dhe është në koordinim me Policinë e Kosovës për trajtimin e mëtejmë të çështjes.
“Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje qytetarëve që t’u besojnë vetëm metodave të verifikuara shkencërisht, të cilat ofrohen nga institucione dhe profesionistë të licencuar shëndetësorë. Lidhur me këtë rast, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar institucionet kompetente dhe është në koordinim me Policinë e Kosovës për trajtimin e mëtejmë të çështjes, në përputhje me kompetencat ligjore”- thuhet në reagim.
Ministria tutje ka thënë se shëndeti i fëmijëve mbetet prioritet absolut dhe çdo keqpërdorim që e rrezikon atë do të trajtohet me seriozitet të lartë institucional.
Lidhur me rastin ka reaguar edhe vetë Arianit Sllamniku.Përmes një video-mesazhi, ai ka premtuar se do ta vazhdojë “misionin” e tij.
“Ato dy zonjat u paraqitën të cilat nuk e kanë përdorë dhe kanë provu te fëmijët e tyre protokollin në fjalë. Por nuk pat asnjë që e ka provu dhe ka pasë efekte anësore apo përkeqësim të gjendjes së fëmijës… Arianit Sllamniku askënd nuk e ka mashtru me logjikën e shëndoshë të një analize në lidhje me ndonjë sëmundje sepse nuk vijnë vetëm autikët te unë… Unë askënd nuk e kam detyru me ardhë te unë, është vullnet i lirë i secilit që të drejtohet te unë… Ne jemi të hapur, puna jonë vazhdon, angazhimi im nuk ka me u ndalë, sepse mbi të gjitha është mision që i kam dhënë vetes. Brenda katër viteve nuk do ta lë asnjë fëmijë shqiptar autik”- ka theksuar ai.
Edhe Koalicioni i organizatave joqeveritare për mbrojtjen e fëmijëve në Kosovë – KOMF ka shprehur shqetësim të lidhur me raportimet se një individ dyshohet se ka ofruar barna për “shërimin” e fëmijëve me autizëm.
Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK) ka thënë se “ky rast nuk duhet trajtuar vetëm si një incident i izoluar apo si përgjegjësi individuale penale, por si një fenomen alarmant që nxjerr në pah dështime serioze sistemike në mbrojtjen e pacientëve”.
Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë ka deklaruar se niveli i ulët i edukimit shëndetësor dhe informimit publik mbi çrregullimet e spektrit të autizmit krijon terren për dezinformim.
“Autizmi nuk është sëmundje që “shërohet”, por një gjendje që kërkon ndërhyrje multidisiplinare, mbështetje afatgjate dhe respektim të dinjitetit të fëmijës dhe familjes”- ka theksuar ajo.