Foto-ilustrim

Inspektori i ATK-së, i arrestuar për ryshfet, nesër del para Gjykatës

Inspektori i Administratës Tatimore të Kosovës, D.F., i cili u arrestua mbrëmë nga Policia në Gjakovë, nesër pritet të dalë para gjykatores për t’u përballur me kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë ndaj tij.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar prokurori Ali Uka, ushtrues detyre i kryeprokurorit të Gjakovës.

“Është bërë kërkesa për paraburgim dhe nesër në ora 10:00 do të mbahet seanca paraprake në Gjykatën e Gjakovës”, tha Uka për KALLXO.com.

Inspektori D.F., bashkë me kontabilistin B.H., janë arrestuar nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës dhe marrje të ryshfetit.

Sot gjatë ditës, Administrata Tatimore e Kosovës ka suspenduar nga puna inspektorin D.F., në lidhje me dyshimet për korrupsion.

Ai dyshohet se kishte marrë para nga një biznes, me qëllim që të mos e ndëshkonin.

Sipas Policisë, këto para D.F. i kishte marrë përmes një personi të dytë (kontabilistit B.H.), në këmbim të mosshqiptimit të gjobës apo kontrollimit të biznesit të tij.

Në këtë rast, Policia e Kosovës kishte aplikuar masat e fshehta të hetimit, saktësisht “blerje e simuluar”, në të cilin hetim është arrestuar në flagrancë kontabilisti.

Kontabilisti ishte zënë duke pranuar shumën prej 500 eurove, para këto të cilat janë pranuar për inspektorin.

Lidhur me rastin, personat e dyshuar të arrestuar janë: D. F., i lindur me 1977 dhe B. H., i lindur me 1990.

Pas intervistimit të të dyshuarve, Policia ka njoftuar se në konsultim me prokurorin kompetent, me vendim të tij i dyshuari D.F. (inspektor i ATK-së) është ndaluar në mbajtje, ndërsa i dyshuari B.H. (kontabilisti) është liruar në procedurë të rregullt.