Njazi Morina, zgjidhet mbikëqyrës në Gjykatën e Gjakovës, dega Malishevë

Këshilli Gjyqësor i Kosovës, në takimin e 266-të nën udhëheqjen e Kryesuesit Albert Zogaj ka zgjedhur mbikëqyrësin e Gjykatës së Gjakovës, dega Malishevë.

Nga 9 pjesëmarrës në votim, gjykatësi Njazi Morina me pesë vota pro është zgjedhur mbikëqyrës i gjykatës së Gjakovës dega Malishevë. Kurse, kundër kandidati i tij gjykatësi Nehat Qelaj mori 4 vota.

Mandati i mbikëqyrësit Morina do të fillojë nga data 1 tetor 2021 dhe do të zgjasë 5 vite.

Por, kush është Njazi Morina, mbikëqyrësi i zgjedhur në gjykatën e Malishevës?

Njazi Morina, është gjyqtar i departamentit të përgjithshëm në divizioni penal. Morina ka diplomuar me 23 qershor 2006 në Universitetin e Prishtinës. Kurse, me 16 prill 2009 mori gradën Master i Shkencave Juridike- Financiare në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës.

Tutje, Morina e kreu provimin e jurisprudencës më 16 korrik 2011, ndërsa praktiken profesionale e mbajti në Gjykatën Komunale Prishtinë nga data 1 qershor 2009 deri 31 maj 2010.

Gjykatësi Morina gjithashtu ka punuar në BIRN si Monitorues Intern nga data 3 janar 2012 deri 31 mars 2012.

Ndërkaq, nga nëntori i vitit 2012 deri në shkurt të 2014-ës, ka punuar si Arkivist në Gjykatën Komunale për Kundërvajtje në Gjakovë- Gjykata Themelore Gjakovë.

Pas kësaj përvoje, më 3 mars 2014 e deri më 31 korrik 2017 ka pranuar si Bashkëpunëtor Profesional në Gjykatën Themelore Gjakovë.

Morina me 31 korrik 2017 u emërua gjyqtar në departamentin e përgjithshëm, divizioni penal të Gjykatës Themelore në Gjakovë/ Dega Malishevë pozitë të cilën e ka mbajtur deri më tani.