Gjakovë, prokurori kërkon shtyrjen e seancës për përmirësim të aktakuzës
Driton Fetahu ish-inspektor i ATK-së dhe Bledar Haskaj kontabilist, dolën sot para gjykatësit Nikollë Komani, për t`u deklaruar rreth aktakuzës së Prokurorisë.
Prokurori Ali Uka ka ngritur aktakuzë ndaj ish-inspektorit të Administratës Tatimore të Kosovës, Driton Fetahu nga Prizreni, për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje ryshfeti.
Prokurori Ali Uka kërkoi kohë shtesë që të bëjë rregullimin e aktakuzës, më saktësisht ndryshim dhe plotësim të saj.
Uka tha se i nevojiten dy javë kohë.
“Mendoj se ndryshimi i akuzës ka të bëjë me ndryshimin juridik, e në rast se ndryshon kjo ndryshon edhe përshkrimi faktik i aktakuzës”, deklaroi prokurori Ali Uka.
Pas kësaj, gjykatësi i rastit Nikollë Komani duke aprovuar kërkesën e prokurorit, caktoi datën 2 nëntor.
Mbrojtësi i të akuzuarit Driton Fetahu, avokati Driton Shehu kërkoi qe ndaj klientit të tij të ndërprehet masa e arrestit shtëpiak.
Ai ishte arrestuar dhe prangosur në muajin prill bashkë me Bledar Haskun nga komuna e Rahovecit.
KALLXO.com ka siguruar aktakuzën ndaj dy të dyshuarve, të cilët priten që me 9 tetor të dalin para gjykatës së Gjakovës.
Në shtatë faqe aktakuzë të ngritur nga prokurori Ali Uka, i akuzuari Driton Fetahu ngarkohet me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, ndërsa për veprën penale të marrjes së ryshfetit, ngarkohen që të dy në bashkëkryerje.
Sipas aktakuzës i pandehuri Driton Fetahu, në muajin janar të vitit 2019 në punëtorinë e zdrukthëtarisë “Beha”, në Rahovec, pronë e të dëmtuarit Aliriza Hasku, kishte shkuar në cilësinë e inspektorit të ATK-së në Prizren dhe përmes të pandehurit tjetër Bledar Hasku, i cili ka qenë në cilësinë e kontabilistit në po këtë punëtori, të dëmtuarit Aliriza Hasku ia kishte marrë 100 euro, 1 tavolinë dhe 4 karriga në vlerë prej 360 eurove.
Në aktakuzë thuhet se të gjitha këto i pandehuri Bledar Hasku, ia kishte dhënë Driton Fetahut, ndërsa në muajin prill të vitit 2020 Bledar Hasku, nga i dëmtuari Aliriza Hasku kishte marrë edhe 500 euro të tjera, të cilat para ishin dhënë nga Njësiti për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit si simulim me qëllim të zbatimit të masave të fshehta.
Aktakuza shpjegon se përmes kamerave në këtë punëtori është arritur që në flagrancë të zihet i pandehuri Driton Fetahu, dhe i njëjti ishte arrestuar nga ana e Policisë.
Arrestimi në flagrancë ishte bërë pas një urdhërese nga gjykata e Gjakovës, për vendosjen e kamerave të sigurisë në punëtorinë e të dëmtuarit Aliriza Hasku.
Ish-inspektori Driton Fetahu, menjëherë më pas ishte suspenduar nga Administrata Tatimore e Kosovës.