Gjykata e Gjakovës

Çka thotë Gjykata, pse e dënoi me burg e gjobë ish-inspektorin e ATK-së?

Në fund të muajit prill, Gjykata e Gjakovës ka dënuar me 10 muaj burgim dhe 1,200 euro gjobë ish-inspektorin e Administratës Tatimore të Kosovës, Driton Fetahun, për veprën penale të marrje e ryshfetit.

Bashkë me Fetahun akuzohej edhe kontabilisti Bledar Hasku, për dhënje ryshfetit, ndaj të cilit prokurori Ali Uka kishte hequr dorë nga akuza ndaj tij, andaj gjykata duke u bazuar në nenin 363 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1 të KPP-së, ka arsyetuar aktgjykimin me të cilin ka refuzuar akuzën, ku thuhet se “gjykata merr aktgjykim me të cilin akuza refuzohet kur: Prokurori i Shtetit është tërhequr nga akuza nga hapja e deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor”.

Sipas aktakuzës i pandehuri Driton Fetahu, në muajin janar të vitit 2019 në punëtorinë e zdrukthëtarisë “Beha”, në Rahovec, pronë e të dëmtuarit Aliriza Hasku, kishte shkuar në cilësinë e inspektorit të ATK-së në Prizren dhe përmes të pandehurit tjetër Bledar Hasku, i cili ka qenë në cilësinë e kontabilistit në po këtë punëtori, të dëmtuarit Aliriza Hasku ia kishte marrë 100 euro, 1 tavolinë dhe 4 karrige në vlerë prej 360 eurove.

Në aktakuzë thuhet se të gjitha këto i pandehuri Bledar Hasku, ia kishte dhënë Driton Fetahut, ndërsa në muajin prill të vitit 2020 Bledar Hasku, nga i dëmtuari Aliriza Hasku kishte marrë edhe 100 euro të tjera.

Nën udhëheqjen e trupit gjykues me kryetar Nikollë Komani dhe anëtar Drilon Haraçia dhe Njazi Morina, sipas aktgjykimit të siguruar nga KALLXO.com, ishte marrë parasysh rrethanat lehtësuese, ndërsa rrethana rënduese gjykata në vendim thuhet se nuk ka gjetur, rrethanat këto të cilat ndikojnë në lartësinë e dënimit.

Ndër rrethanat lehtësuese, për të akuzuarin Driton Fetahu, gjykata ka vlerësuar sjelljen korrekte gjatë gjykimit, jodënueshmërinë e tij të mëparshme, rrethana këto që sipas gjykatës kanë ndikuar në shqiptimin e dënimit më burgim prej 10 muajve dhe gjobë prej 1,200 eurove, dënim ky që do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej datës 14 prill 2020 deri më 12 qershor 2020, si dhe koha e kaluar në arrest shtëpiak nga data 12 qershor 2020 deri më datën 10 tetor 2020.

Sipas aktgjykimit të gjykatës, thuhet se ky dënim është në harmoni me peshën e veprën penale, shkallën e përgjegjësisë dhe personalitetin e të akuzuarit, duke mos harruar edhe bindjen se do të arrihet qëllimi i dënimit të shqiptuar, sikurse janë të parapara me nenin 41 të KPRK-së “të parandalojë kryersin nga kryerja e veprave penale dhe të bëjë rehabilitimin e tij, të parandalojë personat tjerë nga kryerja e veprave penale, të bëjë ngritjen e moralit dhe forcimin e detyrimit për respektimin e ligjit”.

Përveç kësaj, gjykata kishte shqiptuar edhe dënimin plotësues “ndalimi i ushtrimit të funksioneve në Administratën Publike ose në Shërbim Publik në kohëzgjatje prej dy viteve”, i cili dënim do të ekzekutohet pas mbajtjes së dënimit me burg, dënim ky të cilin gjykata e ka bazuar në nenin 62 paragrafin 1 dhe 2 të KPRK-së, i cili thotë se “gjykata ia ndalon kryesit ushtrimin e funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik prej 1 deri në 5 vite, pas mbajtjes së dënimit me burg, nëse personi i tillë ka keqpërdorur këto funksione dhe është dënuar me burgim”.

Po ashtu, Driton Fetahu është obliguar që t’ia kompensojë të dëmtuarit Aliriza Hasku dëmin prej 460 eurove, në afat prej një muaji, obligim ky që gjykata e ka bazuar sipas nenit 463 paragrafit 1 dhe 2 të KPP-së, në vendimin mbi realizimin e kërkesës pasurore juridike të të dëmtuarit.

Gjykata, para marrjes së këtij vendimi, fillimisht ka rikualifikuar veprën penale sa i përket të akuzuarit Driton Fetahu, nga kodi i ri në kodin e vjetër. Fetahu sipas aktakuzës së Prokurorisë së Gjakovës akuzohej me nenin 421 par.1 të KPRK-së, ndërsa iu ndryshua në nenin 428 par.1 i KPRK-së.

Neni 421 par.1 parashihte dënimin me gjobë dhe me burgim prej 1 viti deri në 8 vjet, ndërsa neni 428 par.1 parasheh dënimin me gjobë dhe me burgim prej 6 muaj deri në 5 vjet.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.

Në këtë rast, ishte bërë edhe përmirësimi i aktakuzës.

Para ricilësimit të aktakuzës, Driton Fetahu ngarkohej për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa për veprën penale të marrjes së ryshfetit ngarkoheshin që të dy.

Driton Fetahu ishte arrestuar dhe prangosur në muajin prill bashkë me Bledar Haskun nga komuna e Rahovecit.

Hasku, më pas ishte liruar në procedurë të rregullt.

Ish-inspektori Driton Fetahu, menjëherë më pas ishte suspenduar nga Administrata Tatimore e Kosovës.