Kandidati për deputet që zotohet se do ta mbajë vetëm një vend pune - VIDEO

Kandidati i Nismës Socialdemokrate për deputet të Kuvendit të Kosovës, Enver Hoti, në një intervistë për KALLXO.com, ka thënë se kauza e tij kryesore nëse e merr mandatin është zhvillimi ekonomik i vendit.

Por cilat do të ishin amendamentet e para që do t’i propozonte ai?

“Mendoj që duhet të vazhdohet me reformën pensionale dhe duhet të shikohen të gjitha ato ligje të cilat janë në mbështetje të zhvillimit ekonomik, e veçmas të ekonomisë së mesme dhe të ulët”, është shprehur Hoti për KALLXO.com.

Kandidati nga Nisma ka theksuar se komuna e tij, Malisheva përballet me tri probleme apo nevoja kryesore, siç janë zhvillimi i infrastrukturës së shërbimeve publike, furnizimi me ujë dhe energji elektrike dhe ndërtimi i një impianti për trajtimin e ujërave të zeza.

Hoti ka treguar gjithashtu nëse është për apo kundër ndërtimit të hidrocentralit të tretë me qymyr.

“Ne jemi për ta rishikuar. Mendoj që duhet të rishikohet mundësia, Kosova duhet t’i ngrisë kapacitetet energjetike, por duhet të jetë konform standardeve të cilat janë evropiane dhe të cilat janë në interes financiar të qytetarëve dhe të vendit”, tha ai për KALLXO.com.

Ndër të tjerash ai ka thënë se është kundër shitjes së Telekomit të Kosovës, si dhe sipas tij Autostrada e Dukagjinit duhet të jetë e hapur.

Hoti ndërkaq, thotë se është kundër shkëmbimit të territoreve me Serbinë si dhe ka shtuar se taksa ndaj produkteve serbe duhet të hiqet në rast se pezullohen arsyet e marrjes së këtij vendimi.

Kandidati për ligjvënës ka shtuar se universitetet të cilave nuk u akreditohen programet nuk duhet t mbyllen, por sipas tij të njëjtat duhet të përmirësohen.

I pyetur nëse është për apo kundër martesave të komunitetit LGBTI, ai është përgjigjur se do të dëshironte që martesat të ndodhin në mes të gjinive të kundërta.

Kurse, për bartjen e shamive në shkolla, ai ka thënë se është kundër këtij veprimi.

Ish-deputeti ka treguar edhe se si do të duhej të veprohet me listat e veteranëve të rrejshëm.

“Unë mendoj që rasti i veteranëve të luftës duhet të merr një herë e mirë përgjigje adekuate nga institucionet gjyqësore që janë kompetente dhe të pastrohen, jo të ri dizajnohet por të pastrohet tërësisht lista e atyre që janë manipulues dhe kanë hyrë nëpër mes metodave manipuluese janë bërë pjesë e listave të veteranëve”, ka thënë Hoti për KALLXO.com.

Mes tjerash, ai është zotuar se në rast se do të bëhet deputet, do ta mbajë vetëm një vend pune.

Hoti është përgjigjur edhe nëse e ka pasurinë e përbashkët me gruan e tij.

“Pasurinë e përbashkët e kam, por nuk i kemi nda ashtu në atë mënyrën juridike të jem i sinqertë, du të jem krejtësisht i sinqertë. Nuk kemi ndonjë marrëveshje ashtu juridike, po gjithçka çka më takon mua i takon edhe asaj”, është përgjigjur kandidati për KALLXO.com.

Ndërkaq, i pyetur se kur do ta regjistrojë pasurinë si të përbashkët me gruan e tij, ai ka thënë se nuk e ka futur këtë ide nëpër kokë.

Kjo është intervista e plotë me kandidatin për deputet nga radhët Nismës Socialdemokrate, Enver Hoti:

KALLXO.com: Cila është kauza që keni me e shty nëse boheni deputet?

Enver Hoti: Kauza jonë do të jetë ndryshimi i prioriteteve për zhvillimin e vendit dhe zhvillimi ekonomik i vendit. Kjo do të jetë kauza kryesore.

KALLXO.com: Nëse e merrni mandatin a keni me vazhdu me qenë deputet apo keni me kalu me ndonjë post tjetër?

Enver Hoti: Unë preferoj që të jem deputet.

KALLXO.com: Cilat taksa mendoni se duhet me u ulë dhe cilat me u rritë në Kosovë?

Enver Hoti: Ne mendojmë që gjendja e taksave duhet të ulen ato që kanë të bëjnë me prodhimet vendore. Duhet të ulen taksat të cilat janë në tatimin mbi vlerën e shtuar dhe t’ju lihet hapësirë bizneseve kur të vjen momenti i qarkullimit e jo të paragjykohet si tatim tani për tani. Ndërsa sa i përket cigareve, alkoolit dhe produktet tjera duhet të rishikohet gjendja e këtyre taksave. 

KALLXO.com: Cilat janë tri amendamentet e para që keni me i propozu?

Enver Hoti: Të shohim. Nuk mund të jap ndonjë koment tani se cili do të jetë ai amendament i cili do të jetë i rëndësishëm, por ne do të punojmë fuqishëm në bazë të programit të Nismës Socialdemokrate dhe të përvojës sime që e kam në Kuvend në dy mandatet e kaluar. Mendoj që duhet të vazhdohet me reformën pensionale dhe duhet të shikohen të gjitha ato ligje të cilat janë në mbështetje të zhvillimit ekonomik, e veçmas të ekonomisë së mesme dhe të ulët.

KALLXO.com: Cilat janë tri problemet/nevojat kryesore e komunës prej nga vini?

Enver Hoti: Nga komuna nga vij është problemi i të rinjve dhe punësimi i të rinjve njëra nga to. Është zhvillimi i një infrastrukture të shërbimeve publike, mendoj furnizimi me ujë dhe energji elektrike. Duhet të bëhet një stabilitet më i madh i energjisë, sepse sistemi energjetik do të na lejonte dhe mundësimin e zhvillimit të biznesit dhe zhvilimin ekonomik. Dhe poashtu mendoj që duhet të mbrohet ambienti, përfshirë edhe ndërtimin e një impianti për trajtimin e ujërave të zeza.

KALLXO.com: A ka gjasa me e ndërru partinë ku jeni tash?

Enver Hoti: Jo, në asnjë mënyrë.

KALLXO.com: A ka gjasa me votu kundër qëndrimit të grupit tuaj parlamentar?

Enver Hoti: Nuk kemi arsye me votu kundër grupit dhe qëndrimit të grupit parlamentar sepse mendoj jemi në një unison sa i përket temave që janë në interes të vendit dhe qytetarëve të vendit.

KALLXO.com: Cili grup i diskriminuar do ta ndjenë më së shumti përkrahjen tuaj si deputet?

Enver Hoti: Unë dua të them që në Kosovë nuk ka grupe të diskriminuara. Me një fjalë do të thoja të gjitha kategoritë të cilat janë të atakuara në aspekt social mendoj që t`i avancojmë dhe t`i shtyjmë dhe ato janë kategoritë të cilat neve na bëjnë që të punojmë më së tepërmi për to.

KALLXO.com: Çka do të bëni për përmirësimin e ambientit (mjedisit) dhe ajrit të ndotur në Kosovë?

Enver Hoti: Unë mendoj që investimi në Ministrinë e Planifikimit Hapësinor dhe në mbrojtje të ambientit duhet të shtohet akoma më shumë investimi, duhet të ndahet investim më i madh dhe të shikohen të gjitha mundësitë që Kosova të përmirësojë mbrojtjen e ambientit dhe sidomos ju e dini që kemi pas probleme gjatë sezonës së dimrit me ajrin e dobët dhe të shohim se si do të arrihet kjo. Unë mendoj që prioritetet e projeksionit buxhetor duhet të ndryshohen bukur rrënjësisht.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të termocentralit të tretë me qymyr?

Enver Hoti: Ne jemi për ta rishikuar. Mendoj që duhet të rishikohet mundësia, Kosova duhet t’i ngrisë kapacitetet energjetike, por duhet të jetë konform standardeve të cilat janë evorpiane dhe të cilat janë në interes financiar të qytetarëve dhe të vendit.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR djegies së qymyrit nëpër shtëpi gjatë dimrit?

Enver Hoti: Jam kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR përdorimit të qeseve të plastikës?

Enver Hoti: Jam kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR shitjes së Telekomit të Kosovës?

Enver Hoti: Jam kundër shitjes së Telekomit të Kosovës por mendoj që edhe këtu duhet pasur një plan të mirëfilltë fizibiliteti.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të autostradës së Dukagjinit?

Enver Hoti: Unë jam që Dukagjini ta ketë një autostradë të tipit që është kjo nga Orllati deri në Slatinë. Një autostradë që do të jetë e hapur, por jo një autostradë siç është e tipit Autostrada e Kombit, ose Rruga e Kombit siç po quhet. Dhe arsyet janë edhe më ekonomike në aspektin financiar, por mendoj edhe në interes të qytetarëve të Dukagjinit, është më e pranueshme.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR shkëmbimit të territoreve me Serbi?

Enver Hoti: Nuk duhet të diskutohet, jemi kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së tarifës me Serbinë?

Enver Hoti: Tarifa duhet të hiqet kur të pezullohen arsyet e marrjes së tarifës. Mendoj se përgjigja po ose jo nuk është përgjigje adekuate.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të hidrocentraleve në lumenjtë e Kosovës?

Enver Hoti: Duhet të shikohet të bëhen ato hidrocentrale aty ku nuk dëmtohet ambienti dhe nuk dëmtohen natyra të cilën e kemi dhe duhet ta ruajmë natyrën.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR mbylljes së Universiteteve Publike nëpër komuna nëse nuk i akreditohen programet nga Agjencia e Akreditimit?

Enver Hoti: Mbyllja tingëllon jashtëzakonisht rëndë. Mbyllja nuk duhet të shikohet, por unë mendoj që duhet të përmirësohen dhe duhet të krijohen mundësi për një shkollim tjetër, çfarë është kjo deri më tani.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR monopolit në homoligim?

Enver Hoti: Unë jam kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR martesave në mes të gjinisë së njëjtë?

Enver Hoti: Mbetet vullneti i lirë i qytetarëve, ata e vlerësojnë, secili e ka jetën e vet. Unë do të dëshiroja që martesa të ndodhë mes gjinive të kundërta.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR bartjes së shamive në shkolla?

Enver Hoti: Jam kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR kuotës për deputetë nga diaspora?

Enver Hoti: Jam që diaspora të jetë pjesë e përhershme e institucioneve në Kosovë, përfshirë edhe Kuvendin e Republikës së Kosovës.

KALLXO.com: A je PËR apo KUNDËR ri dizajnimit të skemës për veteranët e luftës me të cilën është abuzuar?

Enver Hoti: Unë mendoj që rasti i veteranëve të luftës duhet të merr një herë e mirë përgjigje adekuate nga institucionet gjyqësore që janë kompetente dhe të pastrohen, jo të ri dizajnohet por të pastrohet tërësisht lista e atyre që janë manipulues dhe kanë hyrë nëpër mes metodave manipuluese janë bërë pjesë e listave të veteranëve.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së kartonit të gjelbër për diasporën?

Enver Hoti: Normal që duhet të hiqet kartoni i gjelbër.

KALLXO.com: Kush po ua financon fushatën?

Enver Hoti: Fushatën? Jemi brenda normave dhe standardeve reale të cilat i lejojnë ligjet për financimin e partive politike. Unë personalisht e kam një fushatë shumë modeste që s’di a vlen me theksu se kush po ma financon. Është një financim i përditshmërisë time të zakonshme.

KALLXO.com: Sa vende pune i keni momentalisht dhe sa vende pune keni me i mbajt gjatë kohës kur jeni deputet/ministër?

Enver Hoti: Unë mund të zotohem para qytetarëve të vendit në radhë të parë para anëtarëve, simpatizantëve dhe votuesve të Nismës Socialdemokrate dhe të udhëheqjes së Nismës se gjithmonë kam një vend pune dhe gjithmonë do ta mbaj vetëm një vend pune. Dhe asnjëherë në jetë nuk do të marr dy vende të punës.

KALLXO.com: Sa janë të hyrat mujore dhe çfarë pasurie keni?

Enver Hoti: Unë e kam deklaruar pasurinë, e ke në formularin e Agjencisë që është për Anti Korrupsion dhe të hyrat janë paga e deputetit, të hyrat nga deputeti.

KALLXO.com: A e keni pasurinë e përbashkët me gruan/burrin? Nëse jo, a keni me e regjistru bashkërisht?

Enver Hoti: Pasurinë e përbashkët e kam, edhe pasurinë e përbashkët normal, por nuk i kemi nda ashtu në atë mënyrën juridike të jem i sinqertë, du të jem krejtësisht i sinqertë. Nuk kemi ndonjë marrëveshje ashtu juridike, po gjithçka çka më takon mua i takon edhe asaj.

Të shohim, nuk e kam fut këtë ide nëpër kokë, sinqerisht.

KALLXO.com: Herën e fundit kur jeni sëmurë, ku jeni shëru, në spital privat apo publik?

Enver Hoti: Unë kam pasur një gjendje jo të mirë shëndetësore pas vitit të ri mendoj, në muajin janar ose shkurt dhe kam qënruar në Spitalin Infektiv në Prishtinë. Jam shëruar në spitalin e Prishtinës, QKUK

KALLXO.com: Ku keni me shku kur të bëheni deputet nëse sëmureni?

Enver Hoti: Para dy muajve e kisha nënën në spital në Prishtinë. Kudo vetëm në institucionet shëndetësore, mendoj përderisa gjithçka e vlerësojmë se duhet të jetë aty dhe nëse përgjegjësinë e marrin mjekët tanë gjithmonë në institucionet publike.

KALLXO.com: Fëmijët tuaj a janë në shkolla publike apo private?

Enver Hoti: Në shkolla publike.

KALLXO.com: Sa familjarë i keni të papunë dhe a keni me i punësu gjatë kohës që e merr mandatin?

Enver Hoti: Fëmijët e mi janë të tre për punë, asnjë nuk punon, fëmija i katër është në shkollë fillore. Poashtu shumicën e anëtarëve i kam jashtë, i kam në gurbet dhe për dallim vetëm bashkëshortja punon, në arsim është arsimtare/mësimdhënëse, ka kryer fakultetin në vitet e 90-ta dhe të tjerët as nuk kam tentuar me i punësu vëllezërit, as familjarët as fëmijët e mi të cilët të gjithë janë për punë, por janë të pa punë. Dhe gjithçka do t’ia lë mundësisë që ata mund ta krijojnë vet për t`u punësuar. Asnjëherë nuk do të përdori funksionin tim për të ndërhyrë dhe për t`i punësuar familjarët e mi.

KALLXO.com: Qysh keni me votu për fatin e Trepçës, me u privatizu apo me mbet nën qeverisjen shtetërore?

Enver Hoti: Trepça tani e ka një statut çfarë  e ka dhe është mirë që e ka marr si shoqëri aksionare dhe unë mendoj që ajo duhet të vazhdohet të mbetet në këtë status  që e ka.

KALLXO.com: Me cilin projekt keni me e kushtëzu votën tuaj për buxhet?

Enver Hoti: Unë nuk do të thoja që e kushtëzoj, por zërin do ta ngris për me pas një ndarje buxhetore të barabartë për komunat dhe poashtu në tema të rëndësishme siç janë: përmirësimi i sistemit të shëndetësisë, arsimit, përmirësimi i mbrojtjes së ambientit dhe ndoshta për sigurinë e vendit duhet të kemi një kujdes më të shtuar. Pra, temat që janë të nivelit nacional dhe në interes të publikut të përgjithshëm.

KALLXO.com: Cili ka me qenë projekti/puna me të cilën keni me lënë gjurmë/trashëgimia juaj si deputet?

Enver Hoti: Unë mendoj që gjurmët më të mëdhaja duhet të lihen në ushtrimin e detyrës në mënyrë të ndershme dhe ligjore.

KALLXO.com: Sa pyetje parlamentare keni me i parashtru brenda një viti?

Enver Hoti: Te shohim, le të mbetet e hapur. Mendoj që duhet të sillet te 10 pyetje, besoj janë të mjaftueshme për një deputet, nëse arrin me i ngritë 10 tema nëpërmjet pyetjeve parlamentare.

KALLXO.com: Sa takime me qytetarë keni me i mbajt gjatë një viti/mandati?

Enver Hoti: Të shumta, vazhdimisht ashtu jeta ime është takim me qytetarët. I gjithë aktiviteti im bazohet në takimet me qytetarë, në trajtimin e halleve dhe derteve të tyre.

KALLXO.com: Makinat më të vjetra se cili vit nuk duhet të lejohen të importohen në Kosovë?

Enver Hoti: Mendoj që ligji aktual është mirë, por se di a ka ndonjë ndryshim. Duhet të ruhet ekosistemi.

KALLXO.com: Sa dëgjime publike keni me i iniciu në komisionet ku keni me qenë pjesë?

Enver Hoti: Varet prej temave, varet prej komisionit të cilit mund t`i takoj, nëse do të hyj, nëse jam pjesë e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

KALLXO.com: A jepni dorëheqje nëse ju ngritet aktakuzë?

Enver Hoti: Besoj që asnjëherë në jetë s’do të kem asnjë aktakuzë. Po nëse ngritet aktakuza normal jemi të obliguar.

KALLXO.com: A e votoni rrëzimin e qeverisë nëse kryeministri ka aktakuzë?

Enver Hoti: Nëse ka aktakuzë besoj që kryeministri duhet të dorëhiqet vet. S’duhet me prit me rrëzu. Pse jo.

KALLXO.com: A e votoni një qeveri që i ka mbi 15 Ministri?

Enver Hoti: Ne do të punojmë që ministritë të jenë konform mundësive që i ofron shteti. Nuk do ta kem një përgjigje për këtë me po ose jo sepse e dimë se si rrjedhin kompromiset partiake për qeveri dhe kushdo që do të thotë ndryhse mendon që nuk është korrekt me juve tani.

KALLXO.com: Sa zv.ministra duhet t’i ketë një ministri?

Enver Hoti: Unë mendoj që secila ministri duhet të ketë një zëvendësministër, më tepër 2 në rastet e ndonjë ministrie të veçantë e cila mund të ketë punë më shumë sesa të tjerat, por do ishte e mjaftueshme.

KALLXO.com: A keni me i votu për anëtarësim në borde të ndërmarrjeve publike & shoqërore njerëzit që nuk i plotësojnë kushtet për emërim?

Enver Hoti: Nuk do t`i votoja, nëse do të kisha informacionin e duhur se nuk i plotësojnë kushtet nuk do t`i votoja.

KALLXO: A keni me i bo transparente fondet e partisë?

Enver Hoti: Jemi të obliguar me ligj.

KALLXO.com: A keni me i hap dokumentet/faturat në kuvend/ministri?

Enver Hoti: Qasja në dokumentet publike dhe zyrtare është e lejuar me ligj dhe nëse do të ketë ndonjë rast i cili është i dyshuar apo ka dilema të tilla, pse jo.