Ekspertja: Projekti për Konservimin e Kullave të Jasharajve të Niset nga Fillimi

Profesoresha në Fakultetin e Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës, Florina Jerliu ka dhënë komentet e saj lidhur me projektin ekzistues për konservimin e kullave të Jasharajve.

Jerliu që ishte e ftuar në emisionin “Jeta në Kosovë”, që këtë javë i kushtohet ruajtjes së trashëgimisë shtetërore me theks në Kompleksin memorial të familjes Jashari në Prekaz tha se në leximet e saj të projektit slloven ka hasur në elemente që nuk përkojnë me kulturën shqiptare.

“Në aspektin simbolik, aty vjen një strehë që absolutisht nuk e di sa ofron më shumë mbrojtje se sa streha ekzistuese. E kam lexu aty në një moment kur thotë hypet në skele në tavan dhe të shihet shtëpia nga lart, tek ne nuk hypet përmbi plis”, tha Jerliu.

Ajo po ashtu dha disa sugjerime nëse vendoset që të bëhet konkurs i ri për projekt tjetër për konservim.

“Ju sugjeroj edhe për një projekt të ardhshëm, dy parime ndërkombëtare nëse doni nesër me vlerësu si lokalitet të denjë për t’u listuar në UNESCO. Intervenime minimale dhe intervenimet që bëhen duhet të jenë reverzibile (të kthyeshme). Kjo do të thotë që struktura që bëhet, strehë apo ndonjë gjë tjetër, nuk guxon ta dominojë objektin”, tha Jerliu.

Sipas saj , pjesë e monumentit do të duhej të mbetet edhe mbuloja që tashmë gjendet në kullat e Jasharajve dhe që shërben për vizitorë në këtë kompleks.

“Skela e cila është shndërruar në vlerë, e cila e personifikon homazhin e qytetarëve, nuk bën të largohet, ajo strehë është mishëruar, nëse ajo largohet ne humbim kujtesën e homazhit për 18 vite”, tha Jerliu.

Përballë Jeta Xharrës, për këtë temë debatuan edhe Idriz Blakaj nga Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Meoriale të Kosovës, Jusuf Thaçi, qytetar dhe Enver Hoti, Deputet.

Emisionin e plotë ‘Jeta në Kosovë’, mund të ndiqni në linkun e mëposhtëm: