Komisioni per buxhet... - 19.12.2018 - foto KALLXO

Komisioni për Buxhet i jep dritën e gjelbër projektligjit për financimin e partive politike

Pas një debati shumë të gjatë, Komisioni për Buxhet dhe Financa  ka miratuar projektligjin për financimin e subjekteve politike.

Me 6 vota për, dy kundër një abstenim , ka kaluar ky projektligj.

Besnik Tahiri, përfaqësues i Qeverisë së Kosovës ka arsyetuar para Komisionit këtë projektligj duke kërkuar nga ata që të votohet.

“Ky ligj ju ka nënshtruar një konsultimi të plotë, ka marrë mbështetjen dhe ka kaluar në Komisionin e Venedikut. Në plotësim ndryshimin e këtij ligji janë dy çështje, e para flet për kontributin e transferit bankar, ku gjithçka që kalon mbi 50 euro kalon në transferin financiarë. E dyta lidhet me mandatin që ka të bëjë me mbi 6 deputet të partisë politike dhe çështja e tretë që është një lutje që të miratohet sa më shpejtë për shkak të MSA-së”, tha Tahiri.

Naser Osmani, deputet nga LDK-ja ka kërkuar që ky projektligj të definoj qartë rolin e auditorit.

“Cili është mekanizmi që garanton që ai auditor ndonjë moment nuk do ta përdor këtë te një subjekt politik. Një person me një veprim të tij mund të ndikoj që mjetet që i marrin subjektet politike me iu ndalë nga KQZ-ja dhe ajo mund të ndodhë në një moment para zgjedhjeve. Kjo mund të sjellë telashe sepse i jepen autorizime shumë të mëdha një personi që mund të na shkaktoj telashe në prag të zgjedhjeve”, tha ai.

Blerim Kuqi, deputet i AAK-së ka kërkuar që të votohet ky projektligj dhe pastaj të bëhen ndryshimet.

“Ligji i ka kaluar proceset normale dhe partitë politike kanë pasur mundësinë të japin kontributin. Mendoj që ky ligj ndoshta është jo-seriozitet i partive politike sepse afatet dhe mundësia kanë qenë të mundshme, sot duhet të shkojë ligji në këtë formë pastaj të japim kontributin”, tha ai.

Enver Hoti, deputet nga NISMA ka ofruar përkrahjen për këtë projektligj.

“Është e domosdoshme që të ketë plotësim ndryshim të ligjit aktual dhe dihet të procedohet në Kuvend, hapësira dhe koha ka qenë e mjaftueshme për kontribut për të dhënë një ligj transparent dhe funksional, mendoj që duhet të procedohet në Kuvend”, tha Hoti.

Ndërsa deputeti i PSD-së Dardan Molliqaj e ka parë si shqetësuese çështjen e auditorit, por ka ofruar mbështetje për këtë projektligj.

“Qeveria duhet të shoh çështjen e donacioneve, ose duhet të ndërrohet ligji për pastrim parash ose ky, sepse bien ndesh me njëri tjetrin. Një çështje tjetër është edhe auditori, një moment një agjencion privat mundet me u përzgjedh prej dikujt dhe mund t`i bëjë dëm dikujt. Raportet buxhetore kanë qenë gogja skandale, besoj që auditori i përgjithshëm duhet t`i drejtohet edhe partive politike. Mirë është ta mbështesim mirë është që t`i japim amendamentet shtesë”, tha ai.

Arbërie Nagavci, deputete e LVV, ka thënë që subjekti i saj politik nuk do ta përkrah këtë projektligj.

“Drafti si i tillë nuk garanton që të arrihet transparenca e partive politike. Ligji është për financimin e subjekteve politike por jo për ato parlamentare, sepse aty parashihet një rregullim tjetër. Ne mendojmë se nuk është draftuar mirë dhe nuk e përkrahim në formën sesi është”, tha ajo.

Ndërsa kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu, ka tërhequr vërejtjen se ky projektligj ka ndryshuar ligjin për financimin e partive politike dhe ligjin për zgjedhje, gjë që sipas saj është në shpërputhje me rregulloren e punës.

Në këtë mbledhje u votua edhe Projektligji për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme.

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!