Foto: Kallxo.com

Inspektori nga Kamenica dënohet me burg e gjobë për 500 euro ryshfet

Një inspektor nga Kamenica është dënuar sot në gjykatën e Gjilanit pasi u gjet fajtor në akuzat për marrje të ryshfetit.

Dënimin e të akuzuarit Sadullah Dërmaku e kishte kërkuar prokurori i rastit në seancën në të cilën u dha fjala përfundimtare.

Ndërsa të hënën, trupi gjykues i kryesuar nga Zyhdi Haziri e shpalli fajtor Dërmakun dhe e dënoi me 15 muaj burg dhe 300 euro gjobë.

Prokurori, në fjalën përfundimtare kishte thënë se gjendja faktike është argumentuar dhe vërtetuar me dëshminë e dëshmitarëve.

“Fajësia është dëshmuar edhe nga përgjimet e që japin bazë të mjaftueshme se kjo çështje në mënyrë të qartë është përshkruar për nga mënyra koha dhe kryerja e veprës penale si në dispozitivin e aktakuzës”, pati thënë Prokurori Agron Uka.

Edhe i dëmtuari iu kishte bashkangjitur ndjekjes penale duke mos kërkuar kompensimin e dëmit.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Shemsedin Pira dhe i akuzuari Sadullah Dermaku, në fjalën e tyre përfundimtare, patën deklaruar se pas shtjellimit të provave, gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe nga përmbajtja e tyre nuk është vërtetuar se i akuzuari e ka kryer veprën penale për të cilën ngarkohet nga Prokuroria e Shtetit, andaj kishin kërkuar që Dërmaku të lirohet nga akuza.

Kjo seancë është udhëhequr nga kryetari i trupit gjykues Zyhdi Haziri.

KALLXO.com kishte raportuar se kjo çështje ishte kthyer dy herë në rigjykim nga Gjykata e Apelit, dhe për herë të tretë përfundoi me dënimin e inspektorit Sadullah Dermaku.

Sipas Prokurorisë, Sadullah Dërmaku në muajin tetor 2017 në Kamenicë në cilësinë e inspektorit të komunikacionit në mënyrë të kundërligjshme ka përfituar si person zyrtar.

Aktakuza thotë se në mënyrë që të dëmtuarit Besnik Shabani t’i mundësojë ushtrimin e veprimtarisë së biznesit “City Taxi”, i akuzuari i kishte kërkuar atij 500 euro, para të cilat i kishte marrë dhe të njëjtat ishin gjetur në xhepin e palltos së tij gjatë bastisjes nga ana e zyrtarëve policorë.

Me këtë rast, Dërmaku ishte arrestuar.

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!