Foto: KALLXO.com

Dështon të mbahet seanca e gjykimit të avokatit, i cili akuzohet se kërkoi 8 mijë euro për të ndikuar te Trupi Gjykues

Ka dështuar të mbahet seanca ndaj të akuzuarit Hamdi Jashari, i cili nga Prokuroria po akuzohet se në cilësinë e avokatit mbrojtës ka kërkuar dhe pranuar në mënyrë direkte shumën 8 mijë euro – me qëllim të ushtrimit të ndikimit në vendimmarrjen e Kolegjit Shqyrtues për ekstradimin e klientit të tij.

Arsyeja pse seanca e sotme ka dështuar të mbahet është mungesa e të akuzuarit Hamdi Jashari dhe mbrojtësit të tij.

Kryetari i Trupit Gjykues, Naser Foniqi bëri të ditur se avokati Shemsedin Piraj e ka pranuar ftesën, por nuk e ka arsyetuar mungesën. Andaj, të njëjtin “për mosarsyetim të mungesës” e dënoi me gjobë në shumën prej 500 euro.

Po ashtu, Gjyqtari bëri të ditur se në lidhje me të akuzuarin Hamdi Jashari është dorëzuar një shkresë – një raport mjekësor nga UNICAMED – që paraqiste rekomandim për pushim mjekësor për 5 ditë.

I dëmtuari Mehdi Kryeziu deklaroi se të akuzuarin e kishte parë dje në Gjykatën e Gjilanit, rreth orës 15:10 dhe kjo, sipas tij, mund të vërtetohet nga kamerat e Gjykatës.

Gjyqtari Foniqi deklaroi se Gjykata do të komunikojë me poliklinikën UNICAMED, për të parë se a e ka ai  gjendjen “për mosparaqitje në seancë”.

Ky rast po trajtohet nga Trupi Gjykues, i përbërë nga: Naser Foniqi, kryetar i Trupit Gjykues dhe dy anëtarët, Fatime Dermaku e Ertan Sejfulla.

Ndërkaq, aktakuza po përfaqësohet nga prokurori Bashkim Zeqaj.

Kujtojmë se në seancën e datës 23.01.2024, i akuzuari Hamdi Jashari ishte deklaruar “i pafajshëm” – lidhur me akuzat që rëndojnë ndaj tij.

Dosja e Prokurorisë

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, i akuzuari në cilësinë e avokatit mbrojtës, ka kërkuar e pranuar në mënyrë direkte shumën prej 8 mijë euro –  me qëllim “të ushtrimit të ndikimit” në vendimmarrjen e Kolegjit Shqyrtues, për ekstradimin e klientit të tij.

Dosja thotë se vepra është kryer në periudhën kohore, prej 25 maj deri në 02 qershor të vitit 2022.

Jashari, sipas aktakuzës, duke qenë avokat mbrojtës i të dënuarit e të kërkuarit për vrasje A.A. për të cilin ka pasur kërkesë për ekstradim nga Prokuroria Themelore e Gjilanit, ka pranuar shumën e lartcekur nga vëllai i klientit të tij.

Këtë shumë, siç thuhet në aktakuzë, Jashari ka pasur për qëllim t’ia japë Kolegjit të Gjyqtarëve, të cilët kishin për të vendosur për ekstradimin e të mbrojturit A.A. në Maqedoninë e Veriut. Qëllimi i Jasharit, sipas Prokurorisë, ka qenë ushtrimi i ndikimit në mënyrë që kërkesa për ekstradim të refuzohej.

Sipas aktakuzës, ky Kolegj përbëhej nga gjyqtarët e Gjykatës së Gjilanit: Naser Maliqi, Aziz Shaqiri dhe Veli Kryeziu.

Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në koordinim me Prokurorinë e Prishtinës, pas zhvillimit të hetimeve preliminare, kishin arrestuar avokatin Jashari – pasi dyshohet se ka kryer veprën e tillë.

Sipas versionit të të akuzuarit të dhënë në Prokurori, shuma e kërkuar prej familjarëve të klientit ka qenë për raste të mëhershme gjyqësore, për të cilat A.A. nuk i ka përmbushur obligimet financiare.

I akuzuari Jashari i cilësoi si “tejet armiqësore” raportet me gjyqtarin Veli Kryeziu.

Prokuroria këto veprime i ka kualifikuar me veprën penale “ushtrimi i ndikimit”.

Sipas Kodit Penal, kushdo që dënohet për një vepër të tillë, mund të dënohet prej 6 (gjashtë) muaj deri në 8 (tetë) vjet burgim.