
Foto: Afrim Ejupi / KALLXO.com
Vetura e një anëtareje të KQZ-së sulmohet me koktej mollotovi në Ranillug, prokurori jep detaje
Dy shishe koktej mollotovi dyshohet se janë hedhur në veturën e një përfaqësuesi të Komisionit Qëndror Zgjedhor.
Ngjarja ka ndodhur në orët e mbrëmjes së sontme (25.01.2025) në Ranillug.
KALLXO.com ka kontaktuar me prokurorin kujdestar Agron Uka, i cili ka dalë në vendin e ngjarjes.
Ai tha se ekipet e hetuesisë janë në vendin e ngjarjes pas informacioneve që kanë pranuar në lidhje me një zjarr fillimisht që ishte raportuar.
“Ajo çka kemi, është që dy shishe me koktej molotovi janë gjuajtur në drejtim të veturës së një anëtareje të KQZ-së. Ka mundësi që i dyshuari ka pësuar djegje, jemi në kërkim të provave dhe dëshmive të reja për t’i mbledhur ato”- tha Uka për KALLXO.com.
Tutje ai shtoi se ndonëse ka përkeqësim të motit për shkak te mjegullës, ekipi i hetuesisë është duke bërë kërkime për të gjetur dhe identifikuar të dyshuarin që kreu aktin.