Gjykimi për terrorizëm - Foto: KALLXO.com

I akuzuari për terrorizëm: Nuk pranoj avokat, mbrojtës e kam vetëm Allahun

Në Gjykatën e Prishtinës ku gjashtë persona po gjykohen për terrorizëm, njëri nga të akuzuarit pretendoi se ata po arrestohen me qëllim që të mbulohen skandalet politike.

“Në Kosovë është bërë një propagandë e fortë për ta bindur BE-në që gjoja Kosova po e lufton terrorizmin ndërsa të gjitha këto arrestime janë bërë vetëm t’i mbulojnë skandalet politike”, tha i akuzuari Resim Kastrati.

Të akuzuarit në këtë rast janë Bujar Behrami, Resim Kastrati, Gramos Shabani, Albert Ademaj, Leutrim Musliu dhe Edona Haliti.

Përderisa mbrojtësit e të akuzuarit patën vërejtje në aktakuzën e Prokurorisë dhe mohuan të jetë provuar kryerja e veprave penale që të akuzuarve po u vihet në barrë, prokurori Afrim Shefkiu deklaroi se pa mëdyshje është vërtetuar kryerja e atyre veprave penale.

“Gjatë seancave të shqyrtimit gjyqësor pa mëdyshje është vërtetuar që të akuzuarit i kanë kryer veprat penale që u vihen në barrë” tha ai.

Më tej prokurori, të akuzuarin Bujar Behrami e quajti person të ISIS-it.

“Bujar Behrami ishte person i autorizuar i ISIS-it për të shpërndarë lajme që publikonin nga ISIS. Duke shfrytëzuar këtë pozicion Bujar Behrami ka qenë në kontakt edhe me Lavdrim Muhaxhirin dhe Ridvan Haqifin të njohur si udhëheqës të shqiptarëve në ISIS. I akuzuari Bujar Behrami përmes komunikimeve në internet ka tentuar të krijojë një grup, i cili synon që të veprojë në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri”, tha prokurori Shefkiu.

Ai madje shtoi se Bujar Behrami ka punuar si zyrtar i mediave të ISIS-it.

“Bujar Behrami gjatë fundvitit 2017 ka filluar zyrtarisht punën si zyrtar i mediave të ISIS-it në gjuhën shqipe”, shtoi prokurori.

Ndërsa për Resim Kastratin prokurori tha se roli i tij ka qenë në sigurimin e armëve dhe materieve eksplozive.

“Nuk ka dilemë se të akuzuarit Bujar Behrami dhe Resim Kastrati kanë komunikuar në mes vete dhe roli i Resim Kastratit ka qenë të siguroj armë dhe materie eksplozive me qëllim të shkaktimit të akteve terroriste në Kosovë”, tha prokurori.

Resim Kastrati edhe gjatë seancës së sotme nuk e pranoi mbrojtësin e tij duke thënë se mbrojtës ka vetëm Allahun.

Ndërsa në fjalën përfundimtare i akuzuari Resim Kastrati pretendoi se ishte marrë në pyetje rreth 8 orë nga ana e Policisë dhe ishte torturuar me qëllim që ai të pranonte fajin për veprën për të cilën akuzohet.

“Ndaj meje nuk ka asgjë konkrete, vetëm supozime”, tha ai duke mohuar të ketë kryer veprat që i vihen në barrë.

I akuzuari tjetër Gramoz Shabani pati një kërkesë nga trupi gjykues.

“Unë kërkoj që të lirohem, unë, bashkëshortja ime dhe të gjithë të akuzuarit sepse jemi deklaruar të pafajshëm”, tha ai.

Në bazë të Prokurorisë Speciale, Gramos Shabani ishte i angazhuar për të kryer sulme terroriste në shtetin e Belgjikës, ndërsa bashkëshortja e tij Edona Haliti akuzohet se është përfshirë në veprime të përgatitjes së sulmeve terroriste në Kosovë duke planifikuar të bëjë sulm vetëvrasës me materie eksplozive në automjet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në Kosovë.

Bashkë me dy bashkëshortët po akuzohen edhe Bujar Behrami, i njohur me nofkën ‘Ebu Musab El –Albani’, Resim Kastrati –  me nofkën ‘Pc Habibi’, Albert Ademaj dhe Leotrim Musliu.

Sipas Prokurorisë ky grup i përbërë prej gjashtë personave kishte paraparë sulme terroriste brenda dhe jashtë Kosovës, sulme terroriste ndaj diskotekave në Graçanicë, sulme në kishën ortodokse në Mitrovicën Veriore, sulme ndaj ushtarëve të KFOR-it në Kosovë dhe sulme terroriste në Francë e Belgjikë.

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale përshkruhet edhe synimi i formimit të një organizate e cila do të përgatiste sulme terroriste dhe vetëvrasëse në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni.

Bujar Behrami dhe Resim Kastrati akuzohen se që nga dhjetori  i vitit 2017 e deri më 29 qershor 2018 kanë përgatitur sulme terroriste në Kosovë.

Bujar Behrami njëkohësisht akuzohet se ka tentuar të krijojë grupin me emrin  ‘Ndihmëtarët e shtetit Islam në Tokën e Shqiponjave’, grup që do të vepronte në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni për të përgatitur sulme terroriste.

Caku i përzgjedhur për t’u sulmuar ishin diskotekat “Kamboxha”, dhe “Insomnia”,  në Graçanicë si dhe kisha ortodokse afër kafenesë “Moskva” në pjesën veriore të Mitrovicës.

Aktakuza thotë se detyra e furnizimit me armë, materie eksplozive dhe gjetja e personave për vendosjen e jelekëve me eksplozivë sipas aktakuzës i ishte ndarë Resim Kastratit.

Kastrati për sigurimin e materieve eksplozive dhe armëve të zjarrit kishte pranuar rreth 9,000 euro, përmes “Money Gram”, dhe “Western Union”, thuhet në aktakuzë.

Dy të akuzuarit e fundit, Albert Ademaj dhe Leotrim Musliu akuzohen se edhe pse kanë pasur njohuri dhe kanë qenë të informuar se të pandehurit Bujar Behrami dhe Resim Kastrati janë duke përgatitur sulme terroriste në Kosovë dhe duke qenë në kontakte të vazhdueshme me ta, nuk i kanë lajmëruar veprimet e tyre inkriminuese.

Seanca e ardhshme ku trupi gjykues i përbërë nga kryetari Mustafë Tahiri dhe anëtarët Lutfi Shala dhe Nushe Kukaj-Mekaj pritet të shpallin vendimin e tyre lidhur me të akuzuarit është caktuar të mbahet 4 shtator.

Kallxo.com ka raportuar vazhdimisht për rrjedhën e këtij gjykimi.