Gjyqtari thotë se ka raport familjar me të dëmtuarin, shtyhet gjykimi për fajde në Pejë

Anëtari i trupit gjykues, gjykatësi Murat Hulaj, tha se nuk mundet të jetë gjyqtar në procesin ku Artan Gjocaj po akuzohet për vepër penale të fajdesë.

Kjo pasi sipas gjyqtarit ka raporte familjare me palën e dëmtuar, Rifat Jasiqi.

“Pasi e kam parë palën e dëmtuar, i dëmtuari Rifat Jasiqi është familjar i joni, është rritë te na, pasi iu ka djegë shtëpia”, tha gjykatësi Hulaj.

Ky proces gjyqësor parashihej që të fillonte nga pika zero, pasi gjykatësi që e ka pasë lëndën është pensionuar.

Tani me këtë proces gjyqësor është duke udhëhequr gjyqtarja Violeta Husaj- Rugova.

Pas deklarimit të gjykatësit Hulaj seanca e sotme është shtyrë për datën 8 dhjetor.

Artan Gjocaj ishte liruar nga akuza nga Gjykata e Pejës, por rasti është kthyer në rigjykim nga gjykata e Apelit.

Sipas aktakuzës më 30 nëntor 2017, i pandehuri Artan Gjocaj akuzohet se gjatë periudhës 13 mars 2015 e gjerë më 29 janar 2016 në Deçan, ka shfrytëzuar mendjelehtësinë e të dëmtuarit Rifat Jasiq, me qëllim që të përfitojë pa asnjë angazhim duke kontraktuar kamatë joproporcionale për borxhin e dhënë.

Dosja e prokurorisë thotë se pasi të dëmtuarit i kishte arritur për pagesë shuma prej 140 mijë euro nga “ProCredit Bank”, i njëjti ka kërkuar hua nga i akuzuari Gjocaj për ta shlyer kreditin, në mënyrë që  pastaj me kredi tjetër t’ia kthej huan të akuzuarit.

I pandehuri pasi ia kishte dhënë shumën prej 45 mijë eurove, me kusht kthimi prej një muaji, në momentin kur i dëmtuari nuk ka pasur mundësi ta kthejë këtë shumë brenda këtij afati, i pandehuri ka kërkuar dhe pranuar për çdo muaj vonesë 4.2 %, gjegjësisht 1900 euro në muaj, përveç borxhit bazë, duke përfituar kështu shumën prej 26 mijë euro.