Gjykimi për vrasjen e veteranit të UÇK-së në Skenderaj drejtë fundit

 

Në gjykatën e Mitrovicës gjatë së hënës ka përfunduar gjykimi i dy të akuzuarve për vrasjen e Ilir Zeqirit.

Halil Fejza dhe Korab Imeri, i pari i akuzuar për vrasjen e Ilir Zeqirit, ndërsa i dyti për dhënie e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale janë sjellë sot në Gjykatën e Mitrovicës për t`u ballafaquar me akuzat e Prokurorisë.

Nën lot dhe emocione të shumta të shprehura në gjykatë familja e të ndjeri Zeqiri ka kërkuar dënimin maksimal për të akuzuarit.

Haxhi Millaku përfaqësuesi i familjes së dëmtuar, Shkurta Zeqiri, gruaja e të ndjerit dhe vëllai i tij që ishin prezent në seancë përveç dënimit kanë kërkuar nga gjykata të zbardhen rrethanat se përse është djegur trupi i viktimës.

“Qëndrojmë pranë kërkesës pasurore juridike dhe kërkesa e familjes dhe imja si përfaqësues është që të jepet dënimi kapital në maksimum i paraparë dhe të jetë ndikim në shoqëri në përgjithësi sepse ky është një prej rasteve specifike që tregon vrazhdësinë e kryerjes se krimit, veprimet mizore që ka pësuar i ndjeri, mënyra mizore e shkaktimit të vdekjes si dhe elementet tjera të mashtrimit joshjes deri të dëmtimi i kufomës siç përshkruhet nga ekspertët që është djegur në tërësi“, ka thënë Millaku në emër të familjes.

Në anën tjetër mbrojtësit e të pandehurve kanë kërkuar dënim me të butë për të mbrojturit e tyre të akuzuar.

Shefqet Ibrahimi, i cili e mbron Halil Fejzën fjalën përfundimtare e ka dorëzuar me shkrim ndërsa ka përmendur faktin se i mbrojturi i tij e ka pranuar fajësinë që në seancën e shqyrtimit fillestar me çka sipas tij ai i ka ndihmuar gjykatës që të mos krijoj shpenzime, i ka kërkuar familjes falje, andaj i ka propozuar gjykatës që gjatë marrjes ë vendimit të ketë parasysh rrethanat lehtësues dhe të pandehurit t`i shqiptoj një dënim sa më të butë.

Kurse avokati Ali Rexha, i cili e mbron të pandehurin Korab Imerin ka thënë se ky i fundit është mashtruar për shkak të sinqeritet të tij, ndërsa ka kërkuar lirimin e tij, sepse ka punuar për të siguruar ekzistencën e familjes.

“Mund të them se ka qenë në kufijtë e të miturit ai është dëmtuar për shkak të sinqeritet të tij, është përpjekë me siguru ekzistencën e familjes për këtë ka rënë viktimë e instrumetalizimit. Është thënë se Korabi ka pranuar në polici disa deklarata që shkojnë në dëm të tij, por ai ka thënë se ato i ka bërë nën presionin me rast kanë kërkuar hetuesit e policisë duke i thënë se përndryshe ka me u kalb 40 vjet në burg…”, tha Rexha.

Rexha ka propozuar që i pandehuri Imeri të shpallet i pafajshëm për veprën penale dhënie e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale, ndërsa për veprën penale armëmbajtje pa leje e ka pranuar fajësinë.

Paraprakisht në këtë seancë është marr në pyetje i pandehuri Korab Imeri ndaj të cilat është zhvilluar procesi gjyqësor, pasi i pandehuri Fejza e ka pranuar fajësinë për veprën me të cilën ngarkohet.

I akuzuari Imeri gjatë marrjes në pyetje disa herë ka deklaruar se gjatë marrjes në pyetje nga hetuesit policor të njëjtit i kanë bërë presion që ta pranojë fajësinë sepse i pandehuri Fejza tashmë e kishte pranuar, përndryshe do të kalbej dyzet vjet në burg.