Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Vrasja në lokalin “Bon Vivant”, avokati i të pandehurit kërkon arrest shtëpiak në vend të paraburgimit

Në rigjykimin e të akuzuarve për vrasjen në lokalin “Bon Vivant”, Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi, avokati i këtij të fundit kërkoi nga Gjykata e Prishtinës që t’ia zëvendësojë masën e sigurisë nga paraburgimi në arrest shtëpiak.

“I propozojmë trupit gjykues të vlerësojë ndryshimin e masës. Nuk po kërkojmë tërheqje në tërësi, por ndryshimin e masës në arrest shtëpiak,  për shkak të disa rrethanave familjare” – tha avokati Haxhi Millaku.

Propozimi u refuzua nga trupi gjykues, duke e lënë të akuzuarin ende prapa grilave.

Gjithashtu, sot u dëgjua dëshmitari A.A., i cili dha versionin e tij në lidhje me ngjarjen tragjike, e cila kishte ndodhur në vitin 2014 në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë.

A.A. deklaroi se  mbetet në tërësi pranë deklaratave të dhëna në fazën e hetuesise dhe në Gjykatë dhe se nuk ka asgjë tjetër për të shtuar në lidhje me këtë rast.

Ndërsa të pranishëm nuk ishin dy dëshmitarë, të cilët sipas trupit gjykues ishin thirrur në mënyrë të rregullt dhe mosprezencën e tyre nuk e kishin arsyetuar.

Kujtojmë që sipas aktakuzës së ngritur në korrik të vitit 2015, Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi, në bashkëkryerje, kanë kryer veprat penale – vrasje e rëndë, dhe armëmbajtje pa leje.

Në lokalin “Bon Vivant” më 13 tetor 2014 ishte vrarë Rrahman Uka, roje në atë lokal.

Nga shkalla e parë e gjykimit, të pandehurit Gërdovci dhe Krasniqi ishin shpallur fajtorë për vrasjen.

Gjykata Gërdovcin e kishte dënuar me 21 vjet e 8 muaj burgim, ndërsa Krasniqi ishte dënuar nën cilësimin e veprës penale nga vrasje në pjesëmarrje në rrahje në kohëzgjatje prej 4 vjet e 3 muaj.

Të pandehurit Masar Gërdovci, Gjykata i kishte shqiptuar dënim unik në kohëzgjatje prej 21 vjet e 8 muaj si dhe dënimin plotësues – konfiskimi i armës e mbajtur në mënyrë të paautorizuar si mjet i kryerjes së veprës penale.

Ndërsa ndaj të pandehurit Krasniqi, Gjykata kishte bërë ricilësimin e veprës penale nga vrasja e rëndë në pjesëmarrje në rrahje, për çka është shpallur fajtor dhe është dënuar me 4 vjet e 3 muaj burgim.

Kurse për veprën penale të armëmbajtjes pa leje ishte liruar nga akuza.

Por ky rast është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Me aktgjykimin e shkallës së parë të datës 18 dhjetor 2020, Masar Gërdovci është dënuar me 18 vjet burgim për vrasje në bashkëkryerje dhe 1 mijë e 500 euro gjobë për armëmbajtje pa leje, ndërsa Sherif Krasniqi është dënuar me 6 vjet burgim për veprën ndërsa është refuzuar akuza për armëmbajtje pa leje.

Me aktgjykimin e shkallës së dytë të datës 2 prill 2021 është ndryshuar aktgjykimi i shkallës së parë vetëm në lidhje me të pandehurin Sherif Krasniqi, të cilit i është shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 8 vitesh.

Gjykata Supreme në përbërje nga kolegji i kryesuar nga Merjeme Memaj dhe anëtarët Nesrin Lushta e Agim Maliqi pas shqyrtimit të kërkesave për mbrojtjen e ligjshmërisë ka vlerësuar se çështja penale duhet t’i rikthehet gjykatës së shkallës së parë në rishqyrtim dhe rivendosje.

Supremja ka gjetur se gjykata e shkallës së parë të dënuarit i ka shpallur fajtorë për vrasje në bashkëkryerje duke e hequr elementin e rrezikimit të  personave të tjerë mirëpo e njëjta nuk e ka sqaruar mirë se si i pandehuri Sherif Krasniqi ka kontribuar në vrasjen Rrahman Ukës.

Ky aktgjykim ishte atakuar në Gjykatën e Apelit, ku Prokuroria kishte kërkuar ashpërsimin e dënimit ndaj të akuzuarve.

Në rigjykim Gërdovci është dënuar me 18 vjet burgim për vrasje dhe 1,500 euro gjobë për armëmbajtje  pa leje ndërsa Sherif Krasniqit i ishte ashpërsuar dënimi.

Në fillim të këtij viti, gjykimi ndaj të akuzuarve për vrasjen e Rrahman Ukës ka nisur për here të tretë në Gjykatën e Prishtinës, kjo pasi Supremja ka vendosur që kjo çështje penale duhet të shqyrtohet përsëri.

Gjykata Supreme prishi aktgjykimet dënuese të shkallës së parë dhe shkallës së dytë.