Arkiv- Gjykimi i rastit 'Veteranët' - 06.02.2020
Gjykimi për “Veteranët”: Avokati Koci kundërshton pyetjet e Prokurorisë Speciale për Haradinajn
Në gjykatën e Prishtinë ka vazhduar edhe sot seanca gjyqësore në rastin e njohur si “Veteranët”.
Në këtë proces gjyqësor janë të akuzuar disa nga komandantët e UÇK-së dhe anëtarë të komisionit velrësues për njohjen e statusit të veteranit: Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaga, Rrustem Berisha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.
Në cilësinë e dëshmitarit ishte ftuar të dëgjohet ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Por gjatë parashtrimit të pyetjeve nga Prokurori i Prokurorisë Speciale, Valdet Gashi, kundërshtime lidhur me pyetjet e tij kishte mbrojtësi i të akuzuarit Shkumbin Demaliaj, avokati Arianit Koci.
Sipas Kocit, Prokuroria nuk ishte përgatitur mjaftueshëm.
“Ramush Haradinaj nuk është ftuar në cilësi as të ekspertit e as të interpretuesit ligjor”, tha avokati Koci.
Pas kësaj, gjyqtarja Nushe Kukaj Mekaj, kërkoi nga avokati Koci që të përmbahet nga deklarimet e tilla.
“Të përmbaheni në deklaratat se a dinë apo nuk dinë, a janë të përgatitur apo të papërgatitur”, shtoi gjyqtarja Kukaj Mekaj.
Pas përfundimit të dhënies së dëshmisë nga ish kryeministri Ramush Haradinaj, seanca gjyqësore vazhdoi me dëgjimin edhe të dy dëshmitarëve të tjerë të propozuar nga gjykata sipas detyrës zyrtare, por dëshmitë e tyre me aktvendim janë ndaluar të publikohen deri në përfundimin të marrjes së të gjitha deklaratave të dëshmitarëve.
Sipas gjyqtares Nushe Kukaj Mekaj, një vendim për mos publikimin e deklaratave të dëshmitarëve është që të mos dëmtohet procesi gjyqësor si dhe t’u pamundësohet dëshmitarëve të mos t’i lexojnë dëshminë e njëri-tjetrit dhe në këtë mënyrë, sipas saj, dëshmitarët të mos i koordinojnë dëshmitë e tyre. Pas përfundimit të dëshmive të dëshmitarëve, mediat do të jenë të lejuar që të publikojnë ato dëshmi.
Në shtator 2018, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë kundër 12 personave për lëndën e njohur në opinion si “Veteranët”, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Prokuroria pretendon se nga provat e siguruara është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumën prej 88.769.217.04 euro.