Foto: Kallxo.com

VIDEO - Ramush Haradinaj përfundon dëshminë për “Veteranët”

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka përfunduar dëshminë e tij në gjykatën e Prishtinës për rastin e njohur si “Veteranët”.

Në këtë proces gjyqësor janë të akuzuar disa nga komandantët e UÇK-së dhe anëtarë të komisionit velrësues për njohjen e statusit të veteranit: Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaga, Rrustem Berisha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari

Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së, i cili gjatë luftës ka qenë komandat i Zonës Operative të Dukagjinit të UÇK-së, ishte propozuar që të dëgjohet në cilësinë e dëshmitarit nga mbrojtësi i të akuzuarit Shkumbin Demalijaj, avokati Arianit Koci. Ky propozim ishte aprovuar nga gjyqtarja e rastit, Nushe Kukaj Mekaj, në seancën e 7 shkurt 2020.

Nofka luftarake e tij ka qenë Komandant “Smajli”.

Në shtator 2018, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë kundër 12 personave për lëndën e njohur në opinion si “Veteranët”, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Prokuroria pretendon se nga provat e siguruara është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumën prej  88.769.217.04 euro.