Azem Syla në gjykatë | Foto: KALLXO.com

Gjykimi i Azem Sylës dhe 21 të tjerëve, dëshmitari: Pagova 210 mijë euro e tokën s'e mora kurrë

Është rihapur për publikun gjykimi i Azem Sylës dhe 21 personave të tjerë, të cilët akuzohen se e privuan Kosovën nga tokat shoqërore në zonën e Veternikut dhe Llapnasellës.

Pas dëgjimit të dëshmitarit bashkëpunes Visar Ahmeti, gjykimi u rihap për publikun për të vazhduar me dëshmitarin Sherif Salihi, i propozuar nga i akuzuari Sami Maqedonci.

Dëshmitari rrëfeu për Gjykatën si kishte paguar 210 mijë euro për parcelën e tokës në Veternik në sipërfaqe prej 1.1 hektar, të cilën nuk e mori kurrë.

Ai po ashtu deklaroi se i njeh të akuzuarit Sami Maqedoncin, Shpresim Ukën dhe Shaban Sylën.

Tutje, dëshmitari i tregoi Gjykatës se si përmes të akuzuarve Shpresim Uka dhe Shaban Syla kishte rënë në kontakt me personin e qujatur Zoran, të cilit i kishte dhënë paratë përparcelën e tokës.

“Në fillim të vitit 2008, Shpresimi më ka thënë se është një parcelë në Veternik a po hyjmë me ble dhe unë kam hy me ble duke e shtuar pjesën time”, shtoi dëshmitari.

“Sa para ka shtuar Shpresimi dhe sa ishte pjesa e tij në  këtë parcelë nuk e di”, tha dëshmitari Sherif Salihi.

Dëshmitari tregoi se paratë për këtë parcelë ia kishte paguar personit të qujatur Zoran përmes Shaban Sylës.

“Pasi Shabani ishte ofertues i Zoranit për të cilin nuk e di a ka qenë pronar a jo i kësaj parcele të tokës, por unë Zoranit i kam dhënë 4 herë para”, deklaroi Sherif Salihi.

“Në vitin 2008 Zoranit ia kam dhënë 120 mijë euro, pas 3-4 ditësh ai i kishtë kërkuar Shabanit edhe 26 mijë euro të tjera e pastaj Shabani ka ardhë te unë më ka treguar dhe 26 mijë i kam dhënë Zoranit në prezencë të Shabanit. Për këstin e tretë, Zorani kishte kërkuar 70 mijë euro por unë i kam dërguar vetëm 10 mijë euro pasi nuk e kisha shumën që kërkonte”, deklaroi dëshmitari.

“Ndërsa këstin e 4 në shumën 50 mijë euro ia kam dërguar Shabanit në shtëpinë e tij në Kishnarekë për t’ia dhënë Zoranit”, tha dëshmitari.

“Për këtë tokë as nuk e di kush është pronari as kush e shfrytëzon tani”, shtoi ai.

“Por për këtë tokë kam hyrë borxh dhe kam kërkuar nga Shpresimi dhe Shabani të m’i paguajnë borxhet që kisha ndaj të tjerëve”, vazhdoi dëshmitari Sherif Salihi.

Ndërsa për mënyrën se si e kishte njohur të akuzuarin Sami Maqedoncin ai tregoi se atë e njeh nga babai i tij, Jahiri.

“Në vitin 2011 Jahiri më kishte dhënë 54 mijë euro për t’ia gjetur një banesë në sipërfaqe prej 75 metra katrorë”, tregoi ai.

“Por mua pasi m’u keqësuan punët i kam thënë që duhet të më japë edhe diçka tjetër përveç 54 mijë eurove dhe ai më ka dhënë edhe veturën Passat”, vazhdoi dëshmitari.

“Marrëveshjen e kishim që brenda vitit t’i gjeja banesën me sipërfaqe 75 metra katrorë, por pasi që unë nuk kisha mundur me ia gjetë banesën atëherë jemi marrë vesh me Saminë me ia dhënë 10 ari tokë prej parcelës 1.1 hektar si kundërvlerë për shumën 54 mijë euro dhe veturën Passat”, shtoi ai.

Seanca e radhës u caktua për më 5 dhjetor.

Në këtë rast gjyqësor, Azem Syla dhe 21 persona të tjerë akuzohen për krim të organizuar në tjetërsim të tokave me pronësi shoqërore në Veternik e Llapnasellë, afër Prishtinës.

Në dhjetor të vitit 2016, Azem Syla ishte deklaruar i pafajshëm.

Prokuroria Speciale më 25 tetor 2016 ngriti dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.

Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i Prokurosisë Speciale, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitës, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

Gjithnjë sipas aktakuzës, anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.