Mbyllet pjesërisht seanca në rastin ‘’Toka’’ kundër Azem Sylës

Gjykimi ndaj ish deputetit të PDK-së, Azem Sylës dhe 21 të akuzuarëve të tjerë për krim të organizuar në shpronësimin e Kosovës nga tokat shoqërore sërish ëeshtë mbyllur për publikun.

Shkak për mbylljen e kësaj seance ishte dëgjimi i dëshmitarit bashkëpunues Visar Ahmeti.

Propozimin për mbylljen e kësaj seance e dha prokurorja Habibe Salihi, ndërsa të akuzuarit dhe avokatet e tyre kërkuan  të mbetet në kompetencë të gjykatës.

Gjykatësi Beqir Kalludra, mori vendim me të cilin e mbylli seancën pjesërisht për publikun por duke lejuar pjesëmarrjen e monitorueseve të Ambasadës Amerikane, Eulexit dhe USAID-it.

Kujtomë se edhe seanca e datës 20 nëntor ishte mbyllur për publikun.

Në këtë rast gjyqësor, Azem Syla dhe 21 persona të tjerë akuzohen për krim të organizuar në tjetërsim të tokave me pronësi shoqërore në Veternik e Llapnasellë, afër Prishtinës.

Në dhjetor të vitit 2016, Azem Syla ishte deklaruar i pafajshëm.

Prokuroria Speciale më 25 tetor ngriti dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.

Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i Prokurosisë Speciale, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitës, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

Gjithnjë sipas aktakuzës, anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.