Sërish zvarritje në gjykimin e Ukë Rugovës për vizat italiane

Pas tri vitesh, Gjykata e Prishtinës do ta rinisë nga fillimi gjykimi për skandalin e vizave italiane ndaj Ukë Rugovës dhe të tjerëve.

Zvarritjet procedurale janë shkaktuar pasi gjykatësja kryesore e çështjes Naime Krasniqi Jashanica është transferuar në një departament tjetër të gjykatës.

Në një njoftim për KALLXO.com, Gjykata e Prishtinës ka konfirmuar se Jashanica do zëvendësohet nga gjykatësja Fatime Dermaku dhe ndryshimi nënkupton rinisjen e procedurës që nga fillimi.

Ukë Rugova, ish-ministri Astrit Haraqija, Qefser Baholli, Izet Beqiri dhe Florian Petani akuzohen se në bashkëpunim me 20 të akuzuar të tjerë ndërtuan një skemë e cila kundërligjshëm u siguroi të paktën 500 personave viza italiane.

Në këtë proces gjyqësor janë gjithsej 20 të akuzuar, mirëpo për pesë të lartcekurit është veçuar procedura për qëllim të ekonomizimit duke u njohur si rasti “Ukë Rugova 1”, ndërsa për 15 të akuzuarit e tjerë procesi gjyqësor njihet si “Ukë Rugova 2”.

Lidhur me këtë proces penal nga Prokuroria Speciale janë propozuar 178  dëshmitarë, 70 prej te cilëve kanë të bëjnë me rastin “Ukë Rugova 1”.

Po ashtu edhe të akuzuarit e tjerë të këtij procesi penal të ndarë në “Ukë Rugova 2” janë deklaruar të pafajshëm.