(Arkiv) Gjykimi i Ukë Rugovës - Foto: KALLXO.com

Dëshmitarë të rinj dëgjohen në gjykimin e Ukë Rugovës dhe të tjerëve për vizat italiane

Në gjykimin e Ukë Rugovës, Astrit Haraqijës, Florjan Petanit, Qefser Bahollit e Izet Beqirit, janë dëgjuar dëshmitarë të rinj të propozuar nga Prokuroria.

Prokuroria pretendon se grupi i të akuzuarve, siç e cilëson – kriminal, kishte për qëllim sigurimin e përfitimit material në atë mënyrë që qytetarët të pajisen me viza Schengen nga Ambasada italiane në Prishtinë.

Samir Baliu, dëshmitar i propozuar nga Prokuroria, në seancën e sotme deklaroi se i qëndron pjesërisht deklaratës së dhënë më 29.6.2015 në Policinë e Kosovës.

“Unë i qëndroj pjesërisht asaj deklarate, për shkak që një pjesë e saj nuk është e saktë, pasi që në atë kohë nuk kam dashur të përfshijë vëllanë tim të ndjerë Rrustem Baliun”, tha Baliu.

Dëshmitari tha se të akuzuarin Ukë Rugova e njeh personalisht por se me të nuk kanë raporte të thella dhe se për sigurimin e vizës nuk ka biseduar asnjëherë me të.

“Ukë Rugovën e njoh personalisht, pasi që kur ka pasë nevojë për sigurim, unë kam shkuar në cilësinë e sigurimit, ndërsa vëllai im i ndjerë ka qenë aktiv vazhdimisht si sigurim. Për sigurimin e kësaj vize kurrë në jetë nuk kam biseduar me Ukë Rugovën pasi që me të nuk kemi pasur biseda të thella”, deklaroi Baliu.

Me lejen e Gjykatës, prokurorja e çështjes e ballafqoi dëshmitarin me deklaratën e tij të datës 29.6.2015.

“Ju në pytjen e Policisë: Ku e keni marrë këtë vizë? Jeni përgjigjur: Këtë vizë ma ka siguruar Ukë Rugova të cilit nuk i kam dhënë para për këtë vizë që ma ka rregulluar sepse s’kam pasë nevojë, se me Ukë Rugovën njihemi edhe më herët, me të cilin e kemi edhe njëfarë miqasie, shkuarje dhe dalje”, e pyeti prokurorja dëshmitarin Baliu.

“Unë u deklarova edhe më herët se nuk kam dashur ta përfshijë vëllanë në këtë çështje, prandaj kam deklaruar kështu në këtë pjesë të deklaratës që ma lexuat”, u përgjigj dëshmitari Baliu.

“Nuk është e vërtetë kjo pjesë, pasi që kur më ka thirrur polici hetues, unë kam qenë në Gjermani, jam ardhë për m’e dhanë deklaratën. Pasi që vëllai im nuk ka qenë këtu me u konsultu, unë kam deklaruar në ketë mënyrë. Ndërsa e vërteta është që unë ia kam dhënë pasaportën dhe dokumentet vëllait tim që me apliku për vizë”, tha Baliu.

Samir Baliu tha se personalisht nuk i kishte dorëzuar dokumentet për aplikim në Ambasadën italiane dhe as nuk ka nënshkruar personalisht në aplikacionin e tij për aplikim për vizë italiane.

“Personalisht nuk kam shku m’e marrë vizën italiane në Ambasadën e Italisë dhe as nuk kam aplikuar personalisht. Saktësisht nuk e di se kush ka aplikuar pasi që pasaportën time ia kam dhënë vëllait tim të ndjerë Rrustem Baliut, për m’e apliku për vizë për mua. Vëllait veç ia kam dorëzu pasaportën edhe dy fotografi normale, nëse nuk gabohem edhe certifikatën e lindjes”, tha dëshmitari.

Tutje dëshmitari ceku se brenda një muaji është pajisur me vizë italiane- Schengen, me të cilën kishte udhëtuar në disa vende të Evropës.

“Nuk e di saktësisht kur e kam marrë vizën por me sa më kujtohet ka qenë 2-3 javë ose 1 muaj. Unë me këtë vizë kam udhëtuar në Itali, Gjermani, Zvicër, Suedi, Danimarkë”, tha Baliu.

Ndërsa dëshmitari tjetër, Besart Gunga, deklaroi se nuk e njeh personalisht të akuzuarin Ukë Rugova,  dhe që në vitin 2013 nuk ka punuar në rezidencën e familjes Rugova dhe asnjëherë nga asnjëri anëtar i kësaj familjeje nuk ka kërkuar ndonjë letër garantuese.

“Në vitin 2013 nuk kam punuar në rezidencën e familjes Rugova. Dokumenti që më është prezantuar në Polici e në të cilin figuron se unë kam qenë anëtar i shërbimit të sigurimit të familjes Rugova e kam parë, por realisht unë asnjëherë nuk kam qenë pjesë e shërbimit të sigurimit të familjes Rugova. Personalisht asnjëherë nuk e kam njohur Ukë Rugovën dhe asnjëherë nuk kam kërkuar nga ndonjë anëtar i kësaj familjeje të më lëshohet ndonjë letër garantuese”, tha Gunga.

Ai tutje deklaroi se asnjëherë personalisht nuk ka aplikuar për vize italiane dhe se këtë apikim e ka bërë përmes shokut të tij të fëmijërisë.

“Në vitin 2013 nuk kam aplikuar për vizë italiane – Schengen. Për këtë vizë italiane përmes shokut tim Albert Maloku kam aplikuar. Për aplikacion, Albert Malokut i kam dhënë pasaportën, dy fotografi edhe taksat administrative. Albert Maloku ka qenë shok i imi i fëmijërisë dhe sa kam informacion i njëjti nuk ka punuar në agjencion për plotësim të dokumentacionit për aplikim”, deklaroi Gunga.

Ai gjithashtu theksoi se nuk e kishte nënshkruar personalisht aplikacionin e tij për aplikim për vizë, dhe se të njëjtin nuk e kishte parë.

“Në aplikacionin tim për vizë italiane nuk jam nënshkruar personalisht unë por është nënshkruar nga dikush tjetër. Nuk e kam parë aplikacionin për vizë italiane që është dhënë në emër timin”, shtoi dëshmitari.

Gjyqtari i trupit gjykues pyeti dëshmitarin Besfort Gunga, nëse përveç dokumentacionit t’i ketë dhënë edhe para shokut të tij, në mënyrë që të pajiset me vizë italiane.

“Nuk kam njohuri nëse shoku im t’i ketë dhënë dikujt para apo diçka tjetër që unë të pajisem me vizë italiane. As unë shokut tim Albert Malokut nuk i kam kryer asnjë shërbim si këmbim për pajisjen time me vizë italine”, deklaroi ai.

Gjithashtu ai theksoi se kjo vizë ka qenë edhe për bashkëshorten e tij dhe të njëjtën vizë nuk e ka përdorur asnjëherë.

Seanca ka vazhduar me dëshminë edhe të dëshmitarëve të tjerë.

Ky gjykim ka filluar rishtazi për shkak të ndërrimit të trupit gjykues.

Aktakuza për këtë rast ishte ngritur nga Prokuroria Speciale më 16 maj të vitit 2016 dhe ndonëse kanë kaluar afro 5 vite ky rast ende nuk ka një epilog.

Kujtojmë se Ukë Rugova dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e mbajtur më 11 janar të vitit 2017, e po ashtu dhe në seancën e 16 prillit 2021.

Ukë Rugova, ish-ministri Astrit Haraqija, Qefser Baholli, Izet Beqiri dhe Florian Petani akuzohen se në bashkëpunim me 15 të akuzuar të tjerë, ndërtuan një skemë e cila kundërligjshëm u siguroi të paktën 500 personave viza italiane.

Në këtë proces gjyqësor janë gjithsej 20 të akuzuar, mirëpo për pesë të lartcekurit është veçuar procedura për qëllim të ekonomizimit duke u njohur si rasti “Ukë Rugova 1”, ndërsa për 15 të akuzuarit e tjerë procesi gjyqësor njihet si “Ukë Rugova 2”.

Lidhur me këtë proces penal nga Prokuroria Speciale janë propozuar 178 dëshmitarë, 70 prej të cilëve kanë të bëjnë me rastin “Ukë Rugova 1”.

Po ashtu edhe të akuzuarit e tjerë të këtij procesi penal të ndarë në “Ukë Rugova 2” janë deklaruar të pafajshëm.